
Deklarata e shpërndarë sot nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për të justifikuar mungesën e përgjegjësisë ndaj një prej detyrave më të rëndësishme të një këshilltari bashkiak: vendimmarrja në shërbim të interesit publik.
Siç shkodranët e dinë mirë, braktisja e mbledhjes së datës 8 prill ishte një dëshmi e qartë e mungesës së vullnetit për ta parë Shkodrën përtej interesave të politikës së ditës. Përfaqësuesit e Partisë Demokratike treguan se vazhdojnë të shohin Shkodrën si një pronë politike, duke e penguar zhvillimin dhe duke e mbajtur qytetin peng të narrativës së vjetër të prapambetjes, mungesës së projekteve dhe luftës me “armiq” imagjinarë.
Për të qenë të qartë: këshilltarët demokratë dhe socialdemokratë refuzuan t’u japin qytetarëve të Shkodrës:
• Hapësira publike në plazhin e Velipojës gjatë sezonit turistik, duke bllokuar vendimin për menaxhimin me çmime të lira për pushuesit;
• Investimet për rikonstruksionin e Kinemasë “Republika”, një institucion kulturor që i është rikthyer qytetit pas më shumë se 20 vitesh si pronë private;
• Fondet për emergjencat civile, një detyrim ligjor i pushtetit vendor ndaj qytetarëve.
Kush po i përdor politikisht këto zhvillime, besoj është më se e qartë për qytetarët e Shkodrës.
Shfrytëzoj këtë moment për t’iu drejtuar qytetarëve: përballë kësaj sjelljeje të papërgjegjshme politike, përgjigjja më e mirë do të jetë më 11 maj — me një votë masive për Partinë Socialiste. Vetëm kështu Shkodra nuk do të jetë më peng i politikës së vjetër që i ka kthyer gjithmonë shpinën qytetit dhe shërbimit ndaj qytetarëve.
Zhvillimi i prekshëm që po përjeton Shkodra i ka verbuar kundërshtarët politikë — prandaj e vetmja strategji e tyre është bllokimi dhe kthimi në llogoren politike që i ka sjellë Shkodrës vetëm dëm për më shumë se 30 vite. /Nga Alma Mehmetaj – Këshilltare PS/