Shkodra e para edhe në prodhimin e energjisë së pastër. Mesazhi është përcjellë me vendosjen e një SmartFlower Solar apo një luledielli të zgjuar diellore në qendër të qytetit. Ka qenë një ceremoni e shkurtër me praninë e kryebashkiakes Voltana Ademi, administratorit të KESH-it Benet Beci por edhe të mjaft qytetarëve kureshtarë.
Në mënyrë simbolike, Ademi dhe Beci, kanë bërë vënien në punë të SmartFlower Solar, e para e këtij lloji në Shqipëri dhe mbase “dallëndyshja e parë” e prodhimit të energjisë së pastër nga dielli në vendin tonë.
SmartFlower Solar është vendosur para Kujdesit të Klientit të UKSH Shkodër, specialistët e të cilës ndihmuan për bazamentin dhe vendosjen e lulediellit në vendin e duhur. Energjia e prodhuar nga kjo luledielli, pritet të përdoret pikërisht nga zyrat e UKSH- së pas një marrëveshje që pritet të nënshkruhet. /ShkodraWeb Media/