
Konfirmohet rasti i parë i Murtajës së Ruminantëve të Vegjël në Shqipëri
Rasti është identifikuar në një fermë të mbarështimit të caprinëve (dhi) në njësinë administrative Postribë, qarku Shkodër. Mostrat e marra në terren nga Shërbimi Veterinar janë analizuar nga laboratori referencë i Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, i cili ka konfirmuar praninë e virusit PPR.
Pas konfirmimit të rastit, janë ndërmarrë menjëherë të gjitha masat e parashikuara në legjislacionin përkatës dhe në Planin Kombëtar të Kontigjencës për PPR, me qëllim kontrollin, izolimin dhe menaxhimin efektiv të situatës në terren.
Udhëtime për mbarështuesit e kafshëve të imëta
U bëjmë thirrje të gjithë fermerëve dhe mbarështuesve të kafshëve të imta (dele dhe dhi) që të zbatojnë masat parandaluese dhe të kufizojnë lëvizjen e kafshëve brenda dhe jashtë fermave. Në çdo rast të shfaqjes së simptomave të dyshimta, si temperaturë e lartë, rrjedhje nazale, inflamacion i syve, ulje e oreksit, diarre apo ngordhje e papritur, duhet të njoftohet menjëherë Shërbimi Veterinar Rajonal përkatës ose të kontaktohet numri i gjelbër falas: 0800 3366.
Sqarim për publikun
Theksojmë se Murtaja e Ruminantëve të Vegjël nuk është sëmundje zoonotike, pra nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqet asnjë rrezik për shëndetin publik.
Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtes së Bimëve, në bashkëpunim me strukturat përkatëse, do të vijojë ndjekjen e situatës me seriozitet dhe do të informojë publikun në mënyrë të vazhdueshme për çdo zhvillim.
Sipas Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtes së Bimëve, murtaja e Ruminantëve të Vegjël është një infeksion viral që përbën kërcënim të konsiderueshëm për delet, dhitë dhe disa thundrakë të egër , me shkallë sëmundshmërie që arrin në 100% dhe shkallë mortaliteti deri në 80%.
Sëmundja prek rëndë prodhimin e qumështit dhe mishit, por nuk transmetohet te njerëzit.




