
Transformimi urban i Shkodrës është tashmë një rrugë e hapur. E zgjuar nga agonia e një harrese shumëdekadash, qyteti po rikthen përmes projekteve të reja, vlerat e vërteta të arkitekturës tradicionale të gërshetuar me elementët bashkëkohorë.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Shkodër, një muaj pas vizitës së mëparshme për të parë e ndjekur ecurinë e një sërë kantiereve të çelura dhe punëve transformuese për Shkodrën dhe gjithë qarkun.
Së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Shkodrës Benet Beci, Kryeministri mori pjesë në takimin prezantues të dy projekteve të rëndësishme për qytetin; Rilindjes së Muzeut të Kujtesës, si dhe rindërtimit të hapësirës përreth Xhamisë së Madhe Shkodrës, – prezantim që u realizua në një takim të hapur me qytetarë të Shkodrës dhe përfaqësues të komunitetit fetar.
“Me mbështetjen e plotë nga qeveria dhe Kryeministri po hapim një faqe të re për qytetin tonë, për Shkodrën përmes ndërhyrjeve të mirëmenduara në infrastrukturën publike dhe në zhvillimin urban. Aktualisht në Shkodër po punohet në 10 kantiere dhe presim që shumë shpejt të hapim edhe kantiere të tjera.”, u shpreh Kryetari i Bashkisë Beci, i cili tregoi lidhur me projektin e Muzeut se “Vendi i dëshmisë dhe i kujtesës i vendosur në qendër të qytetit, në godinën që ka shërbyer si dega e brendshme, do të shërbejë si një memorial dinjitoz për të gjithë ata që kanë vuajtur, duke i dhënë qytetit një hapësirë për të kujtuar historinë e tij të vështirë.”
Ndërsa sa i përket projektit të dytë, Kryetari Beci tha se: “Një tjetër projekt i rëndësishëm do të jetë sheshi i xhamisë Ebu Beker apo Xhamia e Madhe e Shkodrës që do të krijojë një hapësirë dinjitoze për besimtarët dhe qytetarët e Shkodrës. Ky projekt do të kombinojë objektin e kultit me hapësira publike dhe do të sjellë mundësi të reja për një zhvillim të qytetit përfshi parkimin nëntokësor dhe hapësirat tregtare.
Rilindja e Muzeut të Kujtesës, si dhe rindërtimi i hapësirës përreth Xhamisë së Shkodrës janë vepra të arkitektit Jesus Hernandez, njëkohësisht hartues i projekteve të Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, qilimit të gurtë të Zogajt, si edhe hyrjes së re të Shkodrës.
Realizimi i tyre me mbështetjen e qeverisë shqiptare, do t’i kthejë këto dy godina, në dy pika kyçe referimi për qytetarët, vizitorët e turistët e kryeqytetit të Veriut, ku ekspozimi i krimeve të diktaturës komuniste, si edhe rrëfimi i historisë tragjike të fesë në Shqipëri, janë detyrim ndaj brezave, po edhe vlerë e shtuar e një destinacioni kulturor si Shkodra.