
Policia e Shkodrës ka bërë me dije se ka referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprën penale “Ndotja e ajrit, ujit dhe tokës”, pasi dyshohet se disa shtetas të paidentifikuar kanë hedhur një sasi mbetjesh të dyshuara spitalore, në qytetin e Koplikut.
Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara nga ShkodraWeb, bëhet fjalë për tonelata mbetje spitalore, depozitimi i të cilave në këto kushte, rrezikon seriozisht shëndetin dhe jetën e banorëve të Malësisë së Madhe, specifikisht, Koplikut. Vendi ku janë hedhur, është fare pranë rrugës nacionale Shkodër- Hani i Hotit.
Sapo ka marrë dijeni, Bashkia Malësi e Madhe ka bërë informimin e institucioneve, duke i vënë ato në lëvizje, duke nisur nga Policia e Shtetit. Esdhe pse akoma nuk ka informacion zyrtar, dyshohet se mbetjet spitalore janë sjellë nga Shkodra dhe janë depozituar në këtë vend. Mbetjet spitalore, duan trajtim të veçantë për të shmangur çdo rrezik të mundshëm për njerëzit por edhe kafshët, sidomos ato shtëpiake.