Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç kanë mbërritur pasditen e sotme në Ohër ku janë pritur nga Zoran Zaev. Kryeministri Rama ka publikuar vetë pamjet e takimit trepalësh mes Zaev- Vuçiç dhe tij. Mbrëmjen e sotme, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Presidenti i Serbisë, Vuçiç do të jenë të pranishëm në darkën e shtruar me këtë rast nga Presidenti Pendarovski.
Në takim do të marrin pjesë përveç tre liderëve edhe kryetari i Këshillit të ministrave të Bosnja e Hercegovinës, Denis Zvizdiç dhe ministrja e Ekonomisë të Malit të Zi, Dragica Sekuliç. Kosova nuk merr pjesë në samit. Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një bisede telefonike ia ka konfirmuar kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, se Kosova nuk merr pjesë në këtë samit.
Nesër do të mbahet Samiti, ku do të diskutohet për forcimin e marrëdhënieve në rajon dhe mini-shengenin Ballkanik. “Në Ohër nisin sot takimet për marrëveshjet e bashkëpunimit rajonal dhe nesër bëhet mbledhja e radhës ku janë ftuar të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor partnerët europianë të nismave rajonale” shkruan Rama.
Pas takimit do të vijojë sesion plenar i liderëve të Ballkanit Perëndimor me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe institucioneve, midis të cilave, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Këshilli Rajonal për bashkëpunim, Komisioni Evropian, Banka Botërore dhe Banka Investuese Evropiane. Samiti nesër do të pasohet nga konferenca për shtyp në orën 12.00. Në lidhje me takimin janë ndërmarrë masat për forcimin e sigurisë në Ohër.