
Besimtarët orthodhoks sipas kalendarit Julian kremtojnë Krishtlindjen më 7 janar. Në festën e krishtlindjeve pakica serbo-malazeze kërkon krijimin e shkollave serbe në Shkodër dhe shpalljen festë zyrtare të 7 janarit. Deklaratat kanë ardhur nga kryetari i shoqatës ‘Rozafa Moraça’, Pavlo Jakoja i cili tha se janë 27 mijë e 500 serb në Shqipëri ndërsa debatoi me gazetarët për mënyrën sesi janë bërë verifikimet e numrit. Ai tha se pakicat janë të trembura dhe nuk deklarohen ndonëse nuk tregoi se kur ka pasur ndonjë incident drejt pakicave serbe. Palvo Jakoja komentoi dhe mini-shengenin ballkanik duke thënë se ata qe i shmangen bashkëpunimit ndërkufitar i largohen perspektivës evropiane.
Mesha e shenjte e Krishtlindjes orthodhokse është mbajtur në gjuhen serbe-malazeze, ndërsa të pranishëm ishin një numër i vogël besimtarësh nga pakica serbo – malazeze qe jetojnë në Vrakë të Qarkut Shkodër. Deputeti i opozitës parlamentare Vasil Sterjovski ka kërkuar Kuvendit shpalljen e 7 janarit si ditën e Krishtlindjeve. Sterjovski është pjesë e opozitës së re, nga listat e LSI-së, dhe përfaqëson minoritetin maqedonas në Korçë.