VIDEO – “S’ka rritje çmimi për familjet dhe biznesin e vogël”, Rama prezanton planin e qeverisë për krizën energjitike

Qeveria shqiptare ka vendosur të mos rrisë çmimin e energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël, si dhe të garantojë furnizim të pandërprerë me energji për të gjithë shqiptarët.

Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të shtunë planin për përballimin e krizës energjetike, prej ku deklaroi se ky plan parashikon tre pika thelbësore, që janë:

-Furnizimi pandërprerë për të gjithë me energji elektrike
-Mbrojtjen e familjeve dhe biznesit të vogël nga rritja e çmimit të energjisë
-Garantimin e fondit të nevojshëm likuid për ndërveprimin me tregun e energjisë elektrike. 100 milionë euro për OSHEE këtë vit dhe 110 milionë euro të tjera në fillim të viti tjetër

Më tej, Rama theksoi se “Por, duke refuzuar kategorikisht çdo pretendim se kjo krizë e rëndë nuk ekziston, nuk ka lidhje me Shqipërinë, dhe duke thënë se kjo krizë mund të jetë me pasoja monetare të rënda për vendin, unë ju them: plani ynë i kundërveprimit nuk parashikon rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë, bizneset e vogla. Stuhia e kësaj krize, sipas ekspertëve, parashikohet ta ketë fazën e saj agresive deri në verën e ardhshme. Plani ynë mbulon pikërisht këtë periudhën, ndërkohë që qeveria po përgatit një konsultim kombëtar”, duke shtuar se “Këto vitet e fundit jeta për ju dhe për mua ka qenë e e përcaktuar nga ngjarjet se nga planet. Këto lënë gjurmë në mendje dhe shpirt. Dua t’u them 2 gjëra: Ndihuni mirë që ia keni dalë dhe kini besim se do ia dilni gjithmonë e më mirë”.

“Nuk do ta bëj kurrë, që t’iu them kush ka le të paguajë, kush nuk ka të rrijë pa drita. Por ama nuk jam këtu as për të thënë punë e madhe nëse rrëzohemi të gjithë nesër. Nuk jam këtu as për të heshtur kur thoni se Shqipëria e prodhon vetë gjithë energjinë që i duhet. Në fakt jo, Shqipëria nuk e prodhon vetë gjithë energjinë që i duhet. Ne e blejmë shtrenjtë, sepse dalim në treg, kur nevoja për energji bëhet alarmante. Ndaj po e ndërtojmë Skavicën, në mënrtë që ujin e tepërt sot, kur kemi shi, ta mbajmë për nesër, kur kemi thatësirë.

Ne nuk e prodhojmë vetë as naftën që konsumojmë për mjetet. Nafta jonë është e rëndë, ajo shitet jashtë për nënprodukte. Shqipëria importon 600 mijë tonë naftë në vit për diezel e benzinë. Sot janë më të shtrenjtat në rajon diezel e benzina, sepse në çmimin e naftës është brenda edhe taksa e qarkullimit, që në rajon paguhet veçmas, sic është brenda edhe një taksë karboni, sepse mjedisin nuk e ndotin pensionistët, invalidët, fëmijët, etj, por mjetet. Halli nuk mund të qahet, duke thënë se shteti duhet të paguajë. Si dreqin mund ta mbështesë qeveria gjithë atë shtresë në nevojë, nëse kush ka më shumë, nuk paguan më shumë, kush ndot më shumë, paguan më shumë.

Sot që flasim, një tabelë është këtu, shumëkush ankohet se çmimi i naftë është rritur përtej imagjinatës, por po të kthehemi te faktet, sot diezel e benzina janë më lirë se më 2013. Nëse nuk harroni faktet e djeshme, gjykoni më mirë sot. Unë sot nuk ju them dot ‘Dilini zot vetes edhe për çmimin e energjisë’, pasi detyra jonë është të jemi shoku i mirë në ditë të vështirë, për të gjithë ata që nuk janë në gjendje të përballojnë sfidat e jetës, dhe as pasojat e krizave.

Por, duke refuzuar kategorikisht cdo pretendim se kjo krizë e rëndë nuk ekziston, nuk ka lidhje me Shqipërinë, dhe duke thënë se kjo krizë mund të jetë me pasoja monetare të rënda për vendin, unë ju them: plani ynë i kundërveprimit nuk parashikon rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë, bizneset e vogla. Stuhia e kësaj krize, sipas ekspertëve, parashikohet ta ketë fazën e saj agresive deri në verën e ardhshme. Plani ynë mbulon pikërisht këtë periudhën, ndërkohë që qeveria po përgatit një konsultim kombëtar”, shtoi kryeministri.

Open

Close