Presidenti Ilir Meta kërkoi sot pasdite që të merren një sërë masash për të përballuar situatën e krijuar nga koronavirusi, duke kërkuar më shumë fonde për këtë arsye. Gjatë një konference për këtë çështje në Presidencë, kreu i shtetit u pyet nëse do të mblidhte Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Meta: Nuk është koha për të zhvilluar mbledhje mbi mbledhje ndonëse që më 30 janar kam kërkuar të merren masa. Edhe dje kam bërë një kërkesë edhe më të fortë për përshkallëzimin e masave pas përkeqësimin dra matik në Itali. Qeveria ka marrë një seri masash në këtë drejtim. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm jo vetëm për të hetuar këto dy raste pasi është e rëndësishme të kuptojmë që nënvlerësimi i vogël i një rasti mund të kthehet në një shpërndarës të këtij virusi me pasoja.
Edhe në Presidencë kemi një task-forcë që drejtohet nga këshilltari i sigurisë kombëtare, i cili ka edhe një adresë për personat që kanë shqetësim. Me një përgjegjëshmëri më të madhe besoj se do ta kemi situatën nën kontroll. Sot kam folur me ambasadoret tona në Greqi dhe Itali. Çdo qytetar duhet të tregojë përgjegjshmëri maksimale dhe veçanërisht masat mbrojtëse për personelin shëndetësor janë prioritet mbi prioritete.
Janë disa gjëra që kërkojnë fonde dhe fondet duhen gjetur patjetër pasi situata mund të dali jashtë kontrollit. Ka dy gjëra që nuk kërkojnë fonde, bashkëpunimi qytetar dhe e dyta vullnetarizmi. Të gjithë ata intelektualë, profesorë, studentët e fakultetit të Mjekësisë mund të jenë me mjaft kontribut, vullnetarët e Kryqit të Kuq, mund të vendosen në mënyrë të organizuar në ndihmë të ekipit që po merret me këtë çështje.