
Kombëtarja shqiptare e vajzave, e drejtuar nga trajneri shkodran Armir Grima, ka arritur një tjetër fitore të madhe, duke mposhtur për herë të dytë radhaz, madje edhe në “shtëpi”, Kroacinë. Vajzat kuqezi triumfuan me përmbysje 2-1 në “Sport Centre Rudes”, në sfidën e vlefshme për grupin B4 të Ligës së kombeve.
Kroacia vëndase kaloi e para në avantazh pas golit të Ivana Slipčević në minutën e 11-të. Megjithatë, Shqipëria reagoi mirë dhe gjeti golin e barazimit në minutën e 32-të me një realizim të bukur nga Fortesa Berisha. Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1.
Pjesa e dytë e takimit dytë nisi me Shqipërinë më kërkuese. Futbollistet tona u shfaqën disa herë rrezikshëm në sulm me Fortesa Berishën dhe Valentina Trokën.
Në minutën e 71-të, pas një aksioni nga krahu, Berisha pasoi në zonë dhe Balog në përpjekje për të larguar topin, e devijoi në portën e saj, duke i dhënë Shqipërisë avantazhin dhe fitoren.
Ky është një tjetër sukses historik për Kombëtaren shqiptare të vajzave, që me këtë fitore renditet në vendin e tretë në Grupin B4 të Ligës së Kombeve, me 6 pikë. Dy ndeshjet e fundit të Shqipërisë në këtë grup do të jenë ndaj Ukrainës në transfertë dhe ndaj Çekisë në shtëpi.