Shkodra ka nderuar “10 sportistët më të mirë të vitit “ në një ceremoni të organizuar në Kinema “Republika”, të organizuar nga Gazeta Shkodra Sport dhe Bashkia Shkodër. Emrat më të mirë të sportit të cilët arritën suksese në një vit janë nderuar në këtë ceremoni e cila këtë vit vjen si bashkëpunim mes gazetës dhe Bashkisë së Shkodrës.
Për drejtuesin e gazetës Shkodra Sport, Gjergj Kola, kjo ceremoni është një moment i vecantë për të nderuar më të mirët ndërsa këtë vit deklaroi se u mbajt edhe premtimi i një viti më parë nga kryebashkiaku Benet Beci.
Emrat e nderuar në këtë anketë të plotësuar nga trajnerë dhe gazetarë shprehën falenderime për këtë vlerësim që i bëhet nga qyteti. Kryetari i Bashkisë Shkodër, i cili i dorëzoi cmimin kampionit të boksit Nelson Hysa, u shpreh se sportistët janë ambasadorë të qytetit dhe një vlerë e shtuar për Shkodrën.
3 tituj mirënjohje për Isa Sukaj, Angjelina Gurakuqi dhe Roland Koka, 10 talente të vitit por edhe 10 sportistë të vitit janë nderuar në këtë ceremoni që këtë vit vjen si event që i dedikohet sportit.
“10 sportistët më të mirë të vitit” është kthyer tashmë në një traditë për Shkodrën duke nderuar sportistët kampionë në të gjitha disiplinat. Më të mirët 2024 u shpallën Bruno Rrotani, Nora Deda, Senad Drini Mateo Balaj, Kasandra Kovaçi, Bernada Rreshpja, Esmeralda Franja, Bekim Balaj, Franko Burraj, Nelson Hysa.