
Nelson Hysa do të vijojë të jetë kampioni i Europës në boks për peshat super të rënda. Boksieri shqiptar arriti të mbronte titullin në federatën WBO, duke mposhtur me nokaut në raundin e 3 kundërshtarin nga Maqedonia e Veriut, Todorche Cvetkov, i cili më herët kishte provokuar në bazë të nacionalitetit.
Përballja në ‘Harrow Leisure Centre’ të Londrës pati pak histori, pasi 40-vjeçari nga Shkodra e dominoi plotësisht, për të ardhur deri tek raundi i 3 kur maqedonasi vendosi të tërhiqej. Për Nelson Hysën kjo ishte fitorja e 20 në 20 ndeshje në boksin profesionist, teksa 18 prej tyre kanë ardhur me nokaut. Falë këtij suksesi të madh, në sytë e shumë shqiptarëve të cilët kishin shkuar për t’i ndjekur, Hysa mban vendin e 25 në botë në kategorinë e tij nga 1547 boksierë që janë gjithsej.