Shqipëria luajti dhe fitoi ndaj Uellsit miqësoren e “Elbasan Arenës”, një sfidë ku kuqezinjtë kërkuan të paktën të kthejnë fytyrë, pas asaj humbje poshtëruese 0-4 ndaj Skocisë, vetëm tri ditë më parë.
Trajneri Kristian Panuçi i besoi sërish portën Berishës, ndërkohë që Mavraj e Ismajli e nisën si qendra e mbrojtjes. Në sulm për të kërkuar rrugën e golit, u rreshtuan Uzuni e Grezda nga krahët, në ndihmë të Balajt. Ky i fundit shënoi me penallti golin e vetëm të ndeshjes, që i dha fitoren ekipit tonë. Ishte një pengim në zonë i Xhakës dhe Balaj e ktheu në gol në minutën e 58- të.