
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha denoncoi se qeveria, me projektin Smart City, do të kontrollojë çdo lëvizje të qytetarëve. Sipas tij, sistemi do t’i monitorojë ato jo vetëm në lëvizje por edhe në fytyrë dhe se, të dhënat e tyre private, do të “bëhen” shtetërore. Për kryedemokratin, kryeministri Edi Rama po kompleton survejimin e plotë dhe të paligjshëm të qytetarëve.
“Denoncoj përsëri projektin e quajtur Smart City, Qyteti i Mençur, të themi. Së pari, si projekt ky synon survejimin e plotë të lëvizjeve të çdo qytetari. Në qoftë se një vit më parë u vendosën në të gjitha kompanitë e telefonave aparaturat e regjistrimit të plotë të internetit dhe telefonave të celularëve me pretekstin e ndërprerjes së TikTokut, tani me Smart City, Edi Rama kompleton survejimin më të paligjshëm dhe më total të qytetarëve shqiptarë, të çdo lëvizje të tyre”, u shpreh Berisha në konferencën e sotme për shtyp.
Kryedemokrati theksoi se me këtë sistem që “trumbeton” Rama, po synohet që të asgjësohet privatësia e qytetarëve dhe vënia e tyre nën kontroll të plotë. Kjo, sipas tij, do t’u mundësojë organizatave kriminale që të kenë akses në këto kamera, dhe të bëjnë çfarë të duan me “gjahun” e vet.
“Ky përbën asgjësimin e plotë të privatësisë së tyre, pasi ky sistem regjistron jo vetëm individin, por dhe fytyrën me të gjithë emotivitetin e saj të individit. Lëvizjet e tij në çdo destinacion. Vizitat e tij tek miqtë, tek të afërmit, tek shokët. Privatësinë e tij në lokale dhe kudo që shkon. Kjo është vendosja e qytetarëve shqiptarë në kontroll të plotë, automjeteve të tyre, lëvizjeve të tyre. Dhe në këtë aspekt, aq sa të dhënat e një individi janë private, ato bëhen shtetërore. Aq sa të dhënat e një shoqërie janë shtetërore, ato eksportohen në duart e kujtdo. Tani çdo organizatë kriminale nuk ka më nevojë përveçse të fusë kthetrat në kamera dhe të marrë vesh se ku e ka gjahun e vet për ta marrë peng, për ta vrarë, për ta ekzekutuar, etj, etj.”, tha Berisha.




