Autoritetet lokale të Genoa në Itali, kanë shembur me eksploziv pjesën e mbetur të urës “Morandi”, që u rrëzua gati 1 vit më parë. Mijëra banorë në atë zonë u evakuuan përpara se shembeshin pjesët e mbetura të urës të përbëra nga rreth 4500 ton beton dhe çelik. Nëpër këmbët dhe pjesët e tjera të urës ishin vendosur eksploziv, ndërsa rrugët ishin mbyllur në një rreze prej 300 metrash, duke bllokuar qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve. Një vit më parë, nga shembja e urës humbën jetën 43 persona, mes të cilëve edhe dy shqiptarë.