
Si rezultat i kontrolleve të kryera bazuar në të dhënat e siguruara në rrugë operative, specialistët për Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” finalizuan operacionin e koduar “Delivery”, si rezultat i të cilit u goditën një rast i shitjes së lëndëve narkotike dhe një rast i armëmbajtjes pa leje.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë 2 shtetas të cilët po qarkullonin me motomjet, me qëllim shitjen e dozave të kanabisit.
Gjatë kontrollit fizik ndaj 17-vjeçarit që drejtonte motomjetin, pa leje drejtimi, dhe ndaj pasagjerit, shtetasit M. M., shërbimet e Policisë gjetën sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis të ndarë në dhjetëra doza gati për shitje.
Në vijim, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit M. M., ku qëndronin dhe shtetasit P. M. (vëllai i tij) dhe Z. M. (xhaxhai i tyre), shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, të ndarë në rreth 280 doza, me qese farmaceutike, 1 armë zjarri pushkë, 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe 4 celularë.
Në përfundim të veprimeve procedurale të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit: M. M., 18 vjeç, Z. M., 36 vjeç dhe shtetasi i mitur 17 vjeç;
-nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. M., 20 vjeç.




