
Nesër Samiti i Diasporës mblidhet në Lezhë edhe në kuadër të 575- vjetorit të Kuvendit të Lezhës. Ishta parashikuar që të përurohej edhe shtatorja e Gjergj Kastriot Skedrebeut, por në fakt piedestali ku duhet të vendosej është shembur pasi nuk kishte lejet përkatëse sipas Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Shkodër. I ashpër ka qenë edhe reagimi i kryebashkiakut lezhjan në një prononcim për mediat. Kryetari i Bashkisë Lezhë z.Fran Frrokaj ka dënuar shembjen e bazamentit ku do të vendosej shtatorja e Gjergj Kastriotit-Skenderbeu, e projektuar për t’u inaguruar neser më 2 Mars, si nderim i 575-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës. Ai e ka cilësuar veprim antikombëtar dhe fyerje për çdo banor të Lezhës dhe çdo shqiptar. Nuk tërhiqemi, shtatoren e Heriot Kombëtar do ta vendosim duke kaluar çdo burokraci.
Nuk ka vonuar edhe reagimi i Ministrisë së Kulturës përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat ku thuhet:
Në lidhje me ndërhyrjet në sheshin “Gjergj Fishta” në Bashkinë Lezhë, Ministria e Kulturës Ju bën me dije se:
Me datë 19.02.2019 Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Shkodër konstatoi kryerjen e punimeve pa leje nga ana e Bashkisë Lezhë në sheshin “Gjergj Fishta” dhe mori masat për pezullimin e çdo punimi deri në marrjen e miratimit pranë instancave përkatëse.
Sheshi “Gjergj Fishta” në qytetin e Lezhës ndodhet brenda zonifikimit arkeologjik, zona “A”, sipas Vendimit e Këshillit të Ministrave Nr. 728, datë 01.09.2010 “Për shpalljen e zonave arkeologjike A dhe B të qytetit të Lezhës dhe miratimin e rregullores së administrimit”, për këtë arsye Instituti i Monumenteve të Kulturës kërkoi nga Bashkia Lezhë dorëzimin e projektit për shqyrtim.
Projekti “Vendosja e shtatores së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut”, në sheshin “Gjergj Fishta”, u dorëzua me mangësi nga Bashkia Lezhë me datë 26.02.2019 si dhe me datë 27.02.2019.
Duke vlerësuar situatën Instituti i Monumenteve të Kulturës i drejtohet Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit me datë 27.02.2019 për pezullimin e punimeve dhe marrjen e masave të menjëhershme për prishjen e punimeve të kryera në kundërshtim me ligjin nga Bashkia Lezhë dhe kthimin e territorit në gjendjen e mëparshme.
Aktualisht, projekti për vendosjen e shtatores të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut në sheshin “Gjergj Fishta”, Lezhë, parashikohet të shqyrtohet në mbledhjen e radhës të Këshillit Kombëtar të Restaurimit dhe Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë.