Kryetari i ri i grupit të Demokratëve, Korab Lita ka sqaruar ditën e sotme vendimin e këtij grupimi për të larguar Rudina Hajdarin nga posti i drejtueses. Sipas Korab Litës, Hajdarit i është kërkuar të largohet si kryetare Grupi pasi ka zhgënjyer besimin e deputetëve pjesëtare të këtij grupimi parlamentar.
Lita sqaroi se Rudina Hajdari ka qenë e pranishme në mbledhjen e demokratëve dhe ka dhënë dorëheqjen në mënyrë verbale, ndërkohë që pas këtij vendimi ka nisur procedura për zgjedhjen e drejtuesit e të ri.
“Pasi janë paraqitur të gjitha problematikat, i është kërkuar zonjës Hajdari të tërhiqet nga drejtimi i grupit, dhe të vazhdojë më detyrat e tjera që ka në mbështetje të grupit. Pas bërjes prezentë të shpërdorimit të besimit tonë prej 6 muajsh si në aspektin organizativ, politik dhe deri tek ai ligjor. Zonja Hajdari në mënyrë verbale deklaroi dorëheqjen e saj para grupit”, tha Lita.
Më tej Korab Lita ka sqaruar dhe qëndrimin e deputetit Halit Valteri që sipas tij ishte pretendent për postin e kryetarit të Grupit të Demokratëve, por pasi nuk gjeti mbështetjen deklaroi se do përkrahte kreun e ri të zgjedhur, ndërkohë që më pas ndryshoi qëndrim.
Korab Lita tha se grupi parlamentar nuk rrezikon të shpërbehet pasi ka 9 anëtarë në total.
“Zonja Hajdari ka qenë në mbledhje dhe ka dhënë dorëheqjen. Nëse tërhiqet zoti Valteri mbetemi 8 deputetë, nuk ka asnjë problem”, tha Lita.