
Si kandidate e Partisë Demokratike për zonën e Anës së Malit dhe si bijë e kësaj toke të lënë pas dore prej vitesh, nuk mund të hesht përballë farsës që po luhet sot mbi kurrizin e banorëve të ndershëm të këtij komuniteti.
Në vend që t’u ofrohet zhvillim i qëndrueshëm, qeveria vendore ka zgjedhur të risjellë të njëjtën skenë të vjetruar: asfaltim i minutës së fundit, me makina që vijnë e shkojnë sa herë që afrohen zgjedhjet. Papritur, pushteti “zbulon” Anën e Malit, jo nga ndjenja përgjegjësie, por nga frika e humbjes.
Kjo nuk është punë – është propagandë. Nuk është investim – është fyerje për inteligjencën e banorëve tanë. Asfalti elektoral nuk mund të zëvendësojë katër vjet neglizhencë, as të fshijë mungesën totale të vizionit për zhvillimin e zonës sonë. Rruga që ndërtohet sot për të marrë votën, do të shkatërrohet nesër bashkë me premtimin që s’u mbajt kurrë.
Anës së Malit i është dashur gjithmonë më shumë se një makinë asfaltimi para zgjedhjeve. I është dashur respekt.
I është dashur përfaqësim i ndershëm. I është dashur një zë që flet për të dhe punon për të – jo një pushtet që kujtohet vetëm kur ka nevojë për votën.
Si kandidate e PD-së dhe si qytetare që jeton dhe ndan çdo ditë hallet me ju, angazhohem jo për show televiziv, por për punë reale. Jo për rrugë që duken bukur në fletushka, por për politika që ndryshojnë jetën tuaj për mirë – në arsim, bujqësi, shëndetësi dhe infrastrukturë të qëndrueshme.
U bëj thirrje të gjithë banorëve të Anës së Malit:
Mos e lini votën tuaj të blihet me asfalt! Zgjedhjet nuk janë ankand, janë mundësi për të ndëshkuar mashtrimin dhe për të sjellë ndryshimin. Bashkë, le të kthejmë Anën e Malit në prioritet dhe jo në ndalesë kalimtare për fushata të rreme.
Koha e mashtrimeve ka mbaruar. Tani është koha jonë. /Nga Senada MEHMETI, kandidate për deputete e Partisë Demokratike, Shkodër/