VIDEO/ Rrëfehet Megi Doçi, golashënuesja më e mirë e planetit: Ronaldo më ka ndihmuar në karrierën time…

Me gjunjët e gërvishtur nga loja me shokët, pasi përqafoi fort nënën e babain, Megi u largua me lot në sy nga shtëpia ku ëndërroi për pasionin e saj. Me një çantë në shpinë të mbushur plot me ëndrra, ajo u nis drejt Tiranës, do të luante futboll në një fushë të vërtetë. Megi u largua nga fashti Prell i Burrelit pa e ditur se një ditë do të ishte krenaria e tij.

Çdo shikim mosbesues e këshillë dashamirëse që e mbante larg pasionit të fëmijërisë, u bë arsye që fshati të krenohej me Megin. Ajo u largua kur ishte vetëm 12 vjeç, por tashmë pas 10 vitesh Megi njihet në mbarë Shqipërinë si golashënuesja më e mirë e botës për vitin 2018. Futbollistja e Vllaznisë dhe Kombëtares Shqiptare është zgjedhur vjet golashënuesja më e mirë e planetit.

Pasi tejkaloi mosbesimin e fshatit të saj, Megit iu desh të përballej edhe me habinë e djemve futbollistë kur e shikonin në stërvitje. Por për Megin kishte vetëm dy botë, ajo që njohim të gjithë dhe topi. Nëse të gjithë i habiste prania e saj në fushën e blertë, Megi aty gjente qetësinë. E mërzitur apo e gëzuar në qoftë, ajo ka nevojë që këto ndjenja t’i ndajë me fushën e saj.

Por nëse të njohurit e saj ishin skeptik për të ardhmen që e priste kampionen, Megin e ndihmoi një prej dy më të mirëve të botës, Kristiano Ronaldo.

Ai nuk ishte në fushën me dhe të fshatit, as me atë të blertën, ai ishte në shpirtin e Megit. Asaj i qeshin sytë kur e pyet për futbollistin e preferuar. Ronaldon e cilëson një si nga ndihmësit më të mëdhenj që ka pasur. Ajo rrëfen se sapo Ronaldo mbaronte lojën, dilte në oborr për të përsëritur veprimet e tij. Ronaldo nuk e di, por ëndrra e Megit është realizuar edhe nga motivimi që i ka bërë futbollisti i madh.

Trending ishte në finalen e Vllaznisë kundër Fierit dhe Megi, autorja e 84 golave të shënuar në vitin 2018 e gjeti sërish rrjetën. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, Vllaznia e Megit fitoi. Ajo festoi me skuadrën, që nuk lë rast pa e falenderuar dhe pa e cilësuar si një nga pjesët më të rëndësishme të suksesit të saj.

Edhe pse është më e mira, Megi has shumë probleme. Vështirësitë e sportit në Shqipëri vijojnë të jenë të mëdha e paga e pamjaftueshme. Megjithatë ajo nuk dorëzohet. Për Megin gjithçka arrihet, mjafton që ta kesh pasion. Ajo ka një këshillë për të gjithë prindërit e vajzave që duan të luajnë futboll: Lejojini vajzat tuaja të ndjekin pasionin, do t’u bëjnë krenarë ashtu siç bëra unë fmiljen time.

Janë rreth 40 vajza të Vllaznisë që stërviten çdo ditë në këtë fushë. Presidenti i Vllaznisë shprehet për Trending se kjo nuk është rastësi. Një nga synimet më të rëndësishme të këtij klubi është masivizimi i futbollit të femrave. Lazër Matija shpreh idenë se ky sport duhet të integrohet që në shkolla jo vetëm për djemtë por edhe për vajzat. Vajzat e Vllaznisë tashmë ëndërrojnë për më shumë, presidenti Matija thotë se tashmë janë shumë afër kualifikimit në Champions Legaue.

Loading...