Infrastruktura rrugore është një nga prioritetet e Bashkisë së Shkodrës. Tashmë vazhdohet me rikonstruksionin e rrugëve dytësore në qytet, përfshi edhe rikualifikimin e blloqeve të banimit.
Nga të ardhurat e Bashkisë Shkodër, po investohet një fond me vlerë rreth 2 milion lekë, në një bllok banimi në Lagjen nr. 1 të qytetit ku ka qenë domosdoshmëri të ndërhyhet.
Projekti parashikon ndërhyrje në infrastrukturën nëntokësore dhe mbitokësore, linjat e KUB-së dhe KUZ- së, ujësjellësin, bordura e trotuare si dhe sinjalistikë vertikale e horizontale.
Përfundimi i këtij projekti, ka impakt direkt në përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve të këtij blloku banimi, në një nga lagjet kryesore të qytetit të Shkodrës.