
Në prag të vitit të ri akademik, Shkodrës i shtohet një shërbim i ri me vlerë Mensa e Qytetit. Një investim i Bashkisë Shkodër që rikthen këtë mensë pas shumë vitesh, tashmë me kushte moderne dhe një shërbim jo vetëm për studentët, por për të gjithë banorët e Shkodrës. I pranishëm në hapjen e kësaj mense, e para e realizuar nga Bashkia Shkodër pranë Ndërmarrjes së Trajtimit të Studentëve, ishte vetë kryebashkiaku Benet Beci, i cili një vit më parë premtoi një shërbim të tillë dhe sot e bëri realitet në prag të nisjes së vitit të ri akademik.
Kjo hapësirë e re ofron standarde të plota higjieno–sanitare dhe vjen si një alternativë e munguar prej vitesh, duke i dhënë qytetit të Shkodrës një mundësi të re shërbimi publik në funksion të mirëqenies së komunitetit. Është për t’u vlerësuar fakti që vetë Ndërmarrja e Trajtimit të Studentëve, me të ardhurat e saj, ka bërë të mundur këtë investim, duke e kthyer në realitet një model që i shërben si studentëve, ashtu edhe çdo banori të qytetit tonë.




