Të dashur miq.
U krye dhe kjo! Piramida me e madhe e mashtrimit në historinë e drejtësisë europiane të pas Luftës së Dytë Botërore mori sot goditjen më fatale! Përshëndes çdo shqiptar me mirënjohjen më të madhe. Sot, Shqipëria u ndriçua nga rrezet e para të rikthimit të pandalshëm të demokracisë! Sot është dita kur monstrat e demokracisë, Edi Rama dhe Xhorxh Soros dështuan përfundimisht.
Dështuan në tentativën e tyre për të shkatërruar opozitën shqiptare në grushtin e shtetit që i bënë ndaj saj. Sot, ne së bashku, sakrifica e 330 ditëve, nundi i 3 viteve, triumfiu dhe u shpërblye. Ne qëndruam, qëndruam dhe vetëm qëndruam për të vërteten dhe vlerat që besojmë. Mbas një kohe të gjatë që Shqipëria nuk sheh një ditë të mirë. Mbas një kohe të gjatë, që Shqipëria është zhytur në errësirë. Sot është një ditë e mirë për shqiptarët. Sot është një ditë e mirë për opozitarët.
Një ditë shprese. Por sot, është një ditë e mirë edhe për ata që nuk janë opozitarë. Sot është një ditë e mirë edhe për kundërshtarët e opozitës. Sepse sot nuk fitoi Sali Berisha. Sot ka fituar e vërteta. Sot ka fituar ligji dhe Kushtetuta! Sot ka fituar Shqipëria!
Këtë vit unë kam thyer rekord për numër fjalimesh. Plot 330 të tilla. Tani veprimi do të jetë kryefjala e Sali Berishës. Por, ka ende disa mesazhe të rëndësishme, që sot dua te ju them shqiptarëve. Së pari dua të falënderoj çdo shqiptar. Dua të falënderoj familjen time, e cila mori një dozë të madhe të kësaj sakrifice. Të betejës sonë për shpëtimin e Shqipërisë. Dua të falënderoj me mirënjohje të pakufishme ata qindra e mijëra gra, burra, të rinj, të reja, të moshuar që me qëndresën e tyre të pamposhtur të përnatshme, me fjalimet e tyre shndërruan rrugicën e ngushtë të banesës time ne bulevard shprese për shqiptarët. Keni qenë frymëzimi im.
Kauza e drejtë nuk humbet kurrë!
Dua të falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi, të gjithë demokratët, opozitarët që me mosbindjen e tyre civile, e bënë Shqipërinë në kushtet më te vështira te narkodiktatures me opozitën më të fuqishme që ajo ka pasur ndonjëherë. Dua të falënderoj çdo shqiptar. Ata në Shqipëri. Ata në Kosovë. Dhe ata në diasporë. Sepse pa të gjithë ju, pa mbështetjen tuaj, pa qëndresën tuaj, kjo ditë, kjo fitore, nuk do ishte e mundur!
Një mirënjohje të thellë kam për miqtë e mi dhe miqtë e Shqipërisë në rajon, në Europë, në SHBA dhe në botë për mbështetjen dhe angazhimin e tyre në mbrojtje të Sali Berishës, Partisë Demokratike dhe kauzës tonë të drejtë. Gjithashtu sot falënderoj me mirënjohje CDI dhe EPP, udhëheqjen e këtyre organizatave dhe të partive anëtare për rezolutat e tyre historike në mbështetje të Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare dhe denoncimin e narkodiktaturës në Shqipëri.
Falënderoj gjykatësen, e cila nderoi ligjin, nderoi moralin e ligjit dhe të Kushtetutës. Uroj që ligji dhe morali të udhëheqë çdo punonjës të shtetit shqiptar.
Të dashur miq!
U përpoqën të shkatërrojnë Partinë Demokratike, si forca kryesore opozitare e Shqipërisë. U përpoqën të asgjësojnë politikisht Sali Berishën, sepse mbrojta interesin kombëtar të shqiptarëve dhe vendosa të luftoj për ju. Për dinjitetin tuaj. Për lirinë tuaj. Liritë tona! U përpoqën të fshijnë historinë. Të fshijnë pluralizmin. Të fshijnë NATO-n. Të fshijnë liberalizimin e vizave. Të fshijnë luftën e suksesshme të Partisë Demokratike kundër krimit të organizuar. Dhe absolutisht që ky skenar diabolik, antishqiptar, do të kishte qenë i suksesshëm.
Sepse u sulmuam jo vetëm me gjykata, jo vetëm me media të kontrolluara, por u sulmuam nga mafia më e rrezikshme sot në planet, nga mafia Edi Rama-Xhorxh Soros-McGonigal. Nuk ka shumë opozita në planet që do i mbijetonin një sulmi të tillë. Por ne ja dolëm! Triumfuam! Ne fituam hap pas hapi çdo betejë. Dhe kjo vetëm falë jush dhe miqve tanë. Vetëm mendoni miq, sa fitore arritëm në këtë vit të vështirë.
Kujtoni këto arritje dhe do të kuptoni se tashmë e kemi shtruar rrugës, që do sjellë Partinë Demokratike në pushtet! Na përçanë, por ne u bashkuam. Na hodhën barin, ua hodhëm në grazhd! Të gjithë deputetët sot janë bashkë. Sot janë në këmbë. Na vodhën flamurin e partisë, por ne e rifituam atë. Më qëndresë. Me këmbëngulje. Na izoluan, por sot kemi mbështetjen më të madhe ndërkombëtare që kemi pasur ndonjëherë! Me dy rezoluta nga shumica e partive politike më të fuqishme të planetit që dënojnë narkoshtetin shqiptar.
Mashtruan se Sali Berisha është i korruptuar. Po hetimi trevjeçarë nxori se Berisha u arrestua pikërisht se mbrojti interesin kombëtar, u arrestua pikërisht se ishte antikorrupsioni i shqiptarëve. Sepse provat e vetme që gjetën ishin bamirësi të vajzës sime ndaj fëmijëve me aftësi ndryshe dhe pagesat që ajo kishte bërë për shërbime mjekësore për mua, të gjitha të deklaruara. U përpoqën të blejnë heshtjen e Sali Berishës, po këtu tani u bënë qesharakë me veten e tyre.
A mund të blihet heshtja e Sali Berishës? Kurrë!
Kërkuan ta zhysin Shqipërinë në terrin e narkodiktaturës. Por ne ndriçuam çdo natë në Rrugën e Shpresës. Dhe nga sot, dritën e kësaj rrugë do ta përhapim sepse Shqipëria duhet të jetë vend i shpresës dhe kombi ynë duhet të jetë kombi i shpresës dhe jo kombi i krimit dhe i narkotrafikut! Por ka dhe një arritje tjetër, edhe më të madhe se këto që ne kemi arritur bashkë.
Kjo fitore nuk ka rëndësi vetëm për ne, vetëm për të tashmen. Kjo fitore ka rëndësi edhe për ata që vijnë pas nesh, për të ardhmen. Kjo arritje do iu shërbejë brezave të ardhshëm shqiptarë, si një trashëgimi e vyer kur ne të mos jemi më, si një burim inspirimi. Kjo arritje do u jap dritë atyre në momente të zeza si këto që kaloi Shqipëria këto vite. Kjo arritje është se ne shqiptarët nuk e deleguam kurrë ndërgjegjen! Nuk pranuam të na caktonin kryetarin. Nuk pranuam mashtrimin për të vërtetë. Jo, miqtë e mi, kurrë!
Në këtë kohë krizash të vlerave, ju mbrojtët çdo traditë shqiptare, që na kanë mbajtur gjallë ne shqiptarëve ndër shekuj! Ju qëndruat. Me guxim. Me vendosmëri! Me këmbëngulje! Për ato grusht vlerash që e bëjnë njeriun të civilizuar.
Për dinjitetin e njeriut. Për familjen. Për demokracinë. Për interesin e kombit!
Prandaj dhe sot jemi më pranë se kurrë me triumfin tonë. Me rikthimin e Partisë Demokratike në pushtet. Jemi më pranë se kurrë, në misionin tonë, për shpëtimin e Shqipërisë.
Kam dhe një fjalë të fundit për autorin kryesor të këtij grushti shteti që iu bë opozitës shqiptare. Edi Rama, krijo qeverinë teknike, mos e zvarrit kot narkopushtetin tënd!
Se vetë Zoti e ka thënë, që të kthehem unë, pastroni shtëpinë. Ne do pastrojmë shtëpinë tonë me ndihmën e Zotit, besimin e pakthyeshëm në vlerat dhe parimet tona!
Krijo qeverinë teknike se mosbindja civile është gati në radhë. Këta burra e gra, djem dhe vajza do kenë liderin e tyre me vete. Këto shqiptarë duan përgjigje nga ty!
Sepse piramida jote e mashtrimit sot u shkërmoq përfundimisht. Do përgjigjesh si puçist për grushtin e shtetit që bëre kundër opozitës! Do përgjigjesh për një vit që e ke lënë ata me kryetar të izoluar. Do përgjigjesh për atentatin që organizove kundër tij me qëllim që ta heshtje. Do përgjigjesh për 2 vite që grabite flamurin e PD. Prandaj ke vetëm një rrugë. Qeverinë teknike! Dhe të shkojmë në zgjedhje të lira.
Pse ke frikë nga vota e shqiptarëve? Pse ke frikë Edi Rama? Për të mbyllur, i them çdo shqiptari. Sot ishte një fitore, por kemi akoma shumë punë për të triumfuar.
Ftoj të na bashkohen që të gjithë. Rininë, pensionistët, opozitarët e rinj dhe ata të vjetrit. Shqiptarët pa parti. Biznesmenët. Nënat, baballarët, vëllezërit dhe motrat. Socialistët. Por edhe ata punonjës të administratës policë, ushtarake, që janë të ndershëm dhe bëjnë punën e tyre ne përputhje me ligjin çdo ditë.
Boll keni vuajtur ju dhe Shqipëria prej Edi Ramës. Boll ka qenë Shqipëria peng i aleancës së qelbësirave. Peng i krimit. Peng i Rilindjes. Shqipërinë do ta shpëtojmë bashkë! Bashkohuni në mosbindje civile, në betejën finale ndaj së keqes! Se bashku triumfojmë mbi çdo armik, firmosim çdo fitore! Është radha jonë!
O sot, o kurrë!
Fitore, fitore, fitore!