Kjo e dielë e 15 dhjetorit ashtu sic ishte paralajmëruar nga kryebashkiaku Benet Beci, ka shënuar edhe ri-hapjen e tregut të rikonstruktuar tërësisht të tregut të Rusit. Një investim modern që ka sjellë përmirësime të dukshme të kushteve të tregtimit. Tregtarët dhe qytetarët shprehen të kënaqur me ambientet moderne dhe funksionale, investim i cili ka qenë shumë i nevojshëm.
Tregu i Rusit, kap shifrën e 36.6 milion lekëve, si bashkëfinancim i Bashkisë Shkodër dhe AZHBR. Rikonstruksioni i këtij tregu shërben për përmirësimin e kushteve të tregtimit sipas standarteve për shitesit dhe blerësit e produkteve, duke krijuar një ambjent funksional dhe higjenik si dhe duke siguruar mbrojtjen nga faktorët atmosferik.
Përmes këtij investimi, tashmë është bërë e mundur ndërhyrja në sistemimin e sheshit, ndërtimin e mbulesës së merkatës, ndriçimi i tregut, ndërtimi i moduleve të reja për tregtarët ambulant, përmirësimi i kushteve të tregtimit dhe ruajtja e produkteve deri në tavolinën e konsumatorit.
Afatet për përfundimin e këtij investimi kanë qënë 12 muaj por investimi është përfunduar në një kohë rekord prej 5 muajsh, me qëllim që tregtarët të riktheheshin në vendet e tyre për ti shërbyer konsumatorëve edhe në këto ditë festive të dhjetorit.