
Në Komunikimin Javor, kryeministri Edi Rama foli për një vjeshte histerie politike, e cila duhet lënë pas sipas tij, pasi shqiptarëve më shumë se çdo gjë iu intereson puna dhe zhvillimi.
Kreu i qeverisë akuzoi kundërshtarët politikë se me “pallavrat dhe shpikjet” e tyre duan të ndalojnë çdo hap të bërë para nga qeveria e tij.
“Kjo vjeshtë histerike e politikës, nuk mund të na pengojë për të bërë detyrën tonë. Ta mbajmë të plotë përgjegjësinë që na kanë dhënë njerëzit,” tha Rama në Komunikimin Javor.
“Vetëm me reformat e vështirat dhe jo me gënjeshtra, me hap të vogël, jo me iluzione e pallavra mund ta bëjmë Shqipërinë. Kujt i duhet sherri e konflikti? Njerëzve të zakonshëm jo njëherë. Kujt i duhet pallavrat që shpik politika çdo ditë? Shqipërisë jo njëherë. Është për të ardhur keq, kur sheh kazanin e politikës të ziejë në vorbullën e pallavrave e shpikjeve. Kjo vjeshtë histerike e politikës, nuk mund të na pengojë për të bërë detyrën tonë. Ta mbajmë të plotë përgjegjësinë që na kanë dhënë njerëzit. U deshën shumë hapa për të nisur rrugën e Arbrit, plot 4 vite për të ardhur deri këtu, ama erdhëm po jo si të tjerët, që e kthyen rrugën e Arbrit si një nga premtimet më të përsëritura e të pambajtur,” u shpreh ai.
I bindur për detyrën që ka, kryeministri tha se ashtu si me rrugën e Arbrit shumë akse të tjera Kombëtare do kenë standarde Europiane.
“U deshën shumë hapa të vegjël për të arritur më në fund vetëm në një hap larg nga nisja e ndërtimit të Rrugës së Arbrit. Plot katër vjet për të ardhur këtu, ama erdhëm jo si të tjerët që u nisën e u harruan gjithnjë rrugës, duke e kthyer në një nga premtimet më të pambajtura të historisë. Ndryshimet e vërteta duan kohë, punë dhe mund”,-tha Rama.
Kryeministri nënvizoi se: “Kemi një projekt masiv për t’i kthyer rrugët kombëtare në rrugë Europiane, me siguri e me lëvizshmëri të garantuar, me standarde të certifikuara dhe natyrisht me hijeshi ditën dhe me ndriçim siç duhet natën. Merreni me mend që 27 vjet natën në të gjithë Shqipërisë, ndriçohet vetëm aksi Rinas-Tiranë. Por duke hedhur çdo ditë nga një hap ne do bëjmë një progres të konsiderueshëm”,-vijoi ai.
Me buxhetin e ri, siç shtoi Rama, rrugët e Rilindjes urbane do shkojnë deri në Theth, Kurvelesh, Lurë e Frashër.
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155303962121523/