
Kryeministri Edi Rama është gjendur mbrëmjen e sotme te Njësia 2, sipas agjendës së tij ‘Celulë më celulë’ në çdo zonë të Tiranës. Rama ka ndarë me anëtarët e shtabit dhe kandidatët një histori të patreguar më parë, mbi procesin e anëtarësimit në parti dhe kandidimin e parë si kryetar i Partisë Socialiste.
Rama tha se nga momenti plot entuziazëm që anëtarët e partisë treguan kur pranoi anëtarësimin, po të njëjtët më pas e larguan.
Rama: “Betejën e parë për partinë nuk e humba, por më lanë rrugëve. Më linin te shkallët, nuk më linin të futesha. Edhe erdha te Njësia 2, e di Musai, dhe i thashë: Çfarë bëni ju këtu?’ Se atëherë ishin akoma tentakulat e vjetra, ishte patronazhimi nga dritarja. Edhe i them Musait: Do anëtarësohem në parti, në Partinë Socialiste. Sapo kisha fituar zgjedhjet në 2003-shin. Jo,më tha Musai, ‘s’e bën ti këtë.’ ‘Musa, nesër, po më thuaj si do hapet kjo dera që të regjistrohem. Unë dua te baza, i thashë, jo te selia. S’dinin këta të shkretët se çfarë po i vinte në parti. Edhe mbaruam dhe i firmosëm. Sa e firmosa, u them atyre: ‘Unë tani do shpall kandidaturën për kryetar të Partisë Socialiste.
O nëne, o nëne…Gjithë ajo kërkesa dhe ai qejfi për të më pasur afër, dhe u bë një vakum i madh. Vetëm Blushi e përballoi, Musai fshinte djersët. Dal në konferencë, kur ata nuk po më linin. ‘Nuk mund të kandidosh,’ më thanë direkt. ‘More, nuk figuron,’ më thanë. ‘Do mblidhet kryesia dhe do marrë një vendim,’ më thanë. U mblodhën këta, dhe Arta rrinte e ngrysur, nga rreziku që po i vinte partisë. Edhe del ai, ma jep dhe më thotë: ‘Kryesia ka marrë vendimin, nuk do hysh.’ Pastaj më lanë të hyja, dhe më thotë Gramozi: ‘Shiko,’ tha, ‘do hysh, por mos kujto se je mirë aty, se do kesh reagime.’ Hyj aty dhe ata fillojnë: ‘Tradhtarë!’ ‘Mosmirënjohës!’ Thashë: ‘Çfarë ndodh?’ dhe s’kisha firmat për kandidimin. Duheshin 40 firma. Mora 6 për qind, 40 vota të fshehta. Edhe dy vjet ishte ‘black out’. Ti je këtu brenda, se me partinë e Nares do ishe në rrugë.”