Sot janë zhvilluar zgjedhjet elektorale në Rusi për zgjedhjen e presidentit të vendit, i cili me shumë gjasa do të jetë sërish Vladimir Putin. Njeriu më dominant i dy dekadave të fundit në këtë vend, pritet të fitojë mandatin e tij të katërt. Procesi i votimeve në të gjithë vendin është shoqëruar normalisht me incidente të shumta, mirëpo ajo e vjedhjes së votave ka lënë të shtangur gjithë publikun ndërkombëtar.
Kjo pas publikimit të videove të habitshme që tregojnë manipulim të hapur të votave, çka po siguron një fitore të thellë të Putin. Në rrethinat e Moskës, u filmua se si një zyrtar fut një tufë me vota në kutinë e votimit. Menjëherë pas kësaj, një tjetër zyrtar u kap teksa po përpiqej të fuste vota në kuti pa e parë askush.
Incidente të tilla janë shënuar në shumë qendra zgjedhore të vendit, ndërsa mediat amerikane kanë shkruar për mashtrimet dhe mungesën e integritetit të zgjedhjeve në Rusi. Nëse ne kemi dëgjuar për vjedhje votash në Shqipëri përgjatë gjithë këtyre viteve, me siguri që askujt nuk i ka shkuar në mendje se si ato mund të manipulohen. Dhe ja ku vjen prova nga Rusia, duke qenë se në vendin tonë, qendrat e votimit nuk kanë kamera për të kapur manipulimet që bëhen.