Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi dhe Dr. Gligor Stojkov – Team Leader për Projektin e Migracionit për Zhvillim- GIZ, kanë parë nga afër ecurinë në territor të implementimit të projektit DIMAK, përmes të cilit janë punësuar 214 persona në njësitë administrative.
Së bashku, ata inspektuan një nga grupet në terren, i cili punonte për pastrimin e mjedisit përgjatë rrugës së Shirokës. Ademi dhe Stojkov kanë bashkëbiseduar me punëtorët ku janë interesuar për ecurinë e punës.
Gjatë bashkëbisedimit, Stojkov ka vlerësuar bashkëpunimin e konsoliduar me Bashkinë e Shkodrës jo vetëm në këtë projekt por në vijimësi. Ai ka shprehur dëshirën që bashkëpunimi të vijë dhe të zgjerohet në kohë.
Nga ana e saj, Ademi ka vlerësuar impaktin shumëplanësh që ka projekti që po implementohet në Bashkinë e Shkodrës, ndërsa ka propozuar edhe ide konkrete për konsolidimin e tij për vitet në vijim, në bashkëfinancim me donatorë ose si një shërbim për mirëmbajtjen e mjedisit të përbashkët natyror.