VIDEO – “PS i ka votat për të zgjedhur presidentin”, Rama: Basha president aq sa Berisha mund të fitojë çmimin “Oscar”…

Kryeministri Edi Rama ka folur për mediat pas mbledhjes së Asamblesë së PS. Ai ka trajtuar çeshtje me interes për politkën dhe vendin, siç është çeshtja e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, duke mos kursyer as edhe batutat.

“Sapo kemi mbaruar një mbledhje të Asamblesë Kombëtare në vigjilje të Kongresit të PS-së i cili do të jetë një kongres në një kontekst të jashtëzakonshëm për shkak të kohës që jetojmë, me një format të ri, në funksion të një hapjeje të gjerë, të një adresimi të atyre që janë çështjet më të rëndësishme të këtij momenti të vështirë.


Sigurisht që do të kemi jo vetëm ata që do të flasin në emër të lidershipit të partisë, por do të kemi të gjitha disponimin dhe po bëjmë atë që duhet për të pasur të ftuar që të përfshihen në debatet tona, në kërkim të një gjallërimi të debatit jo vetëm brenda familjes sonë politike, por të rigjallërimit të një debati të shëndetshëm në funksion të përmirësimit të mëtejshëm të vetvetes sepse kundërshtarët janë bërë një problem që të paktën për momentin nuk ekziston.

Ne kemi nisur një proces, ka një skuadër të mandatuar nga PS për të hapur një kanal komunikimi me forca, grupe, individë në parlamentin e Shqipërisë që përfaqësojnë anën tjetër, një anë me copa dhe çika, por sidoqoftë këtë nuk e kemi zgjedhur ne, ne thjesht respektojmë këtë konfiguracion që ata kanë krijuar. Në ndërkohë kemi hapur një proces të brendshëm pasi është hera e parë që PS i ka votat dhe nuk varet nga votat e të tjerëve.

Lulzim Basha mund të bëhet president i Republikës me votat e kësaj shumice aq sa Sali Berisha mund të fitojë çmimin Oscar me mbështetjen e syriqimit.net”, ka thënë Rama para mediave.