
Edhe në Shkodër antarët e PD- së janë thirrur të votojnë për të zgjedhur të preferuarit e tyre për kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 11 majit. Votimi ka filluar normalisht edhe në selinë e PD Shkodër.
Konstatohet një interes shumë i lartë për të votuar për 31 personat, të cilët i janë propozuar antarësisë për ti votuar. Ka madje edhe radhë në pritje të votimit.
Votimi i nisur në orën 08.00 do të mbyllet në orën 18.00. Në përfundim, të gjitha kutitë do të mblidhen për tu numëruar në një vend, me gjasë në selinë e PD- së Shkodër.
Fillimisht, do të përcaktohet koeficenti- numri i votave që një kandidat të konsiderohet i kualifikuar, në çdo rast, jo më pak se 130. Rezultatet do ti dërgohen KOKOE të PD- së në Tiranë, e cila zyrtarizon rezultatet.
Në fund të tërë procesit, do të jetë Kryesia e PDSH- së në Tiranë që do të përcaktojë renditjen finale të emrave në listën e kandidatëve për deputetë të qarkut Shkodër. Miratimi formal do të bëhet nga Këshilli Kombëtar i PD, ku 4 emrat e parë të listës, do të jenë “të sigurtë” dhe nuk spostohen pavarësisht votave nominale të kandidatëve të tjerë.