VIDEO – Policia Rrugore e Shkodrës me “dorë të hekurt”, 933 masa administrative për shoferët në një javë

Vijojnë kontrollet nga Policia Rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe ndërgjegjësimin e përdoruesve të rrugës, për zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor.

Gjatë një jave, si rezultat i shtimit të kontrolleve, janë kapur 3 shtetas që drejtonin automjetet, në mënyrë të parregullt, të cilët janë proceduar në gjendje të lirë, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.


Janë pezulluar 13 leje drejtimi, nga këto 8 leje drejtimi për tejkalim të normave të shpejtësisë dhe 5 leje drejtimi për drejtim mjetit nën efektin e alkoolit.

Gjithashtu, nga shërbimet e Policisë Rrugore, gjatë javës që lamë pas, janë vendosur 933 masa administrative, për shkeljet si më poshtë:

• 204 masa administrative për parakalime të gabuara;
• 92 masë administrative për tejkalim të normave të shpejtësisë.
• 43 masa administrative për mospërdorim të rripit të sigurimit;

• 11 masa administrative për drejtim automjeti nën efektin e alkoolit;
• 30 masa administrative për mospërdorim të kaskave mbrojtëse;
• 162 masa administrative për pushim mjeti në kundërshtim me sinjalistikën rrugore;
• 391 masa administrative për shkelje të rregullave të tjera të Kodit Rrugor.

Kontrollet do të vazhdojnë çdo ditë, me qëllimin e vetëm, parandalimin e ngjarjeve rrugore me pasoja për jetën e përdoruesve të rrugës.

Policia Rrugore e Shkodrës falënderon drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët që respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton të gjithë qytetarët që të denoncojnë në 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, duke u garantuar reagim të shpejtë dhe të paanshëm.