Policia e Shtetit plan masash për parandalimin dhe sekuestrimin e kapsollave dhe lëndëve piroteknike me rrezikshmëri për jetën e qytetarëve. Nisur nga ngjarja e fundit ku gjatë një proteste para Parlamentit, mbeti e lënduar nga një kapsollë një punonjëse policie, nga shqetësimet e shumta të qytetarëve që kanë denoncuar në numrin 112 dhe në aplikacionin “Komisariati Dixhital”, si dhe duke parë rrezikshmërinë e lartë për jetën që kanë këto mjete shpërthyese, Policia e Shtetit prej disa ditësh vijon zbatimin e detyrave të përcaktuara në Planin e Masave për kontrollin e tregjeve dhe bizneseve që kryejnë aktivitet në tregtimin e lëndëve piroteknike dhe fishekzjarreve.
Në këtë kuadër, bazuar dhe në Ligjin Nr.9126, datë 29.07.2003 “Për përdorimin civil të lëndëve plasëse, lëndëve piroteknike e fishekzjarreve në Republikën e Shqipërisë” si dhe Urdhërit të MB nr. 229, datë 08.05.2015 “Për miratimin e rregullores për mënyrën, kushtet dhe kriteret e magazinimit dhe përdorimit të lëndëve piroteknike e fishekzjarreve”, gjatë ditëve të fundit në të gjithë vendin nga strukturat e policisë është ushtruar kontroll në subjekte (dyqane dhe tregje), “Për mënyrën kushtet dhe kriteret e magazinimit e përdorimit të lëndëve pritoteknike e fishekzjarreve”.
Janë kontrolluar 1136 subjekte (dyqane të ndryshme, markete apo supermarkete) si dhe tregje të shumicës.
Si rezultat i kontrolleve janë sekuestruar 643 kapsolla, si dhe 487 fishekzjarre që dyshohet se kanë në përbërje lëndë shpërthyese me rrezikshmëri për jetën.
Janë dërguar materialet për vlerësim në Prokurori për 3 subjekte ku janë gjetur dhe sekuestruar kapsolla.
Kontrollet janë përqëndruar edhe në verifikimin e plotësimit të masave shtesë të sigurisë, si kamera dhe fikse zjarri.
Policia e Shtetit iu bën thirrje të gjitha bizneseve që të mos tregëtojnë kapsolla apo lëndë piroteknike si dhe të plotësojnë kushtet dhe kriteret për magazinimin dhe tregtimin e lëndëvë piroteknike dhe fishekzjarreve, konform ligjit.
Policia e Shtetit iu bën thirrje prindërve që mos të lejojnë fëmijët të përdorin të tilla mjete shpërthyese pasi janë rrezik potencial për jetën e tyre dhe të të tjerëve, si dhe fton qytetarët për të denoncuar çdo rast të tregëtimit të lëndëvë të mësipërme në numrin pa pagesë 112 apo në aplikacionin “Komisariati Dixhital”.