
Thomas Brdariç dhe kapiteni i Vllaznisë Erdenis Gurishta, kanë dalë para gazetarëve një ditë para ndeshjes shumë të rëndësishme, ndoshta më e rëndësishmja, finalen e Kupës së Shqipërisë me Skerderbeun. Timonieri i Vllaznisë është shfaqur mjaft i qetë dhe i sigurtë.
Ai ka folur për ecurinë e ekipit këtë sezon, për tifozët që i mungojnë futbollit duke shpresuar që nesër të lejohen në stadiumin “Air Albania” por ndoshta ajo që të gjithë tifozët presin, ishte përgjigja e fundit në këtë konferencë për mediat.
“Kupa e kampionatit nuk mbeti në Shkodër, a do të vijë Kupa në Shkodër nesër?”, ishte pyetja e gazetarëve. Sapo ka dëgjuar përkthimin, me një buzëqeshje të lehtë, Brdariç ka thënë një “po” të prerë, të shoqrëuar edhe me lëvizjen pohuese të kokës.
Nesër është akti i fundit i sezonit futbollistik por edhe i një sezoni vertetë fantastik për Vllazninë. Luajti deri në minutat e fundit të Superliges për titullin kampion, ndërsa nesër ka mundësinë e artë të kthehet tek trofetë pas plot 13 vitesh.
Do të ishte një dhuratë e veçantë për tifozët por edhe një hap drejt një trofeu tjetër, siç është Superkupa e Shqipërisë, e cila çel sezonin e ri në fund të gushtit ose në fillim shtator. Po ashtu, pas 10 viteve në pronësi të Bashkisë Shkodër, Vllaznia për herë të parë sivjet luan në Kupat e Europës. /ShkodraWeb/




