
Sot në Shkodër është përkujtuar “13 Dhjetor 1990”, 35- vjetori i protestës së organizuar për heqjen e bustit të diktatorit Enver Hoxha nga sheshi para Komitetit Ekzekutiv të PPSH- së atëkohë, sot Bashkia e Shkodrës. Është një nga protestat e para në Shqipëri, të organizuara pas lejimit të krijimit të Partisë Demokratike, të parës forcë opozitare në vend pas 45 viteve diktaturë.
Gjithmonë kjo ngjarje, është përkujtuar me vendosje kurorash me lule në memorialin që e përjetëson këtë ngjarje, nga shoqata me të njëjtin emër dhe nga drejtues të PD- së lokale, përfaqësues të saj në qeverisjen vendore, ish- të persekutuar, pjesëmarrës në këtë protestë.
Ajo që ra në sy sot, ishte mungesa e drejtuesve dhe deputetëve të PD- së në vendosjen e kurorave. Ndryshe nga vitet e tjera, e pranishme ishte vetëm deputetja Greta Bardeli Gjoni, sekretari i degës Besnik Kastrati, nënkryetarët Arben Lushaj dhe Vildana Gushta, ish- deputetja Emilia Koliqi dhe përfaqësues demokratë në Këshillin Bashkiak të Shkodrës.
Pavarësisht se drejtuesi i shoqatës “13 Dhjetor 1990”, Ervin Gjini, u përpoq të justifikonte mungesat e sipërcituara, ato u vunë re jo vetëm nga gazetarët dhe mediat por edhe të pranishmit e tjerë. A mund të flitet për një bojkot të përkujtimit të kësaj ngjarje të rëndësishme apo vertetë kanë patur impenjime që nuk mund të shmangnin dot të munguarit e sotëm?! Apo kanë ndikuar edhe polemikat, edhe publike, për zhvendosjen e memorialit, të cilin e ka sqaruar për mediat vetë kryetari i shoqatës “13 Dhjetor 1990”, Ervin Gjini?!




