VIDEO – Përkujtohet 31 vjetori i ekzekutimit të 17- vjeçarit Pëllumb Pëllumbi, “16 qershor” dita e të vrarëve në kufi

Në Shkodër u përkujtua sot Dita e të vrarëve në kufi, e cila shënon edhe vrasjen në kufi të 17 vjeçarit Pëllumb Pëllumbi me 16 qershor të vitit 1990, kohë kur regjimi komunist kishte shfuqizuar ligjin, që e cilësonte arratisjen si tradhëti ndaj atdheut. Vetëm gjatë vitit 1990, në kufi u vranë 54 të rinj e te reja në përpjekje për të shkuar drejt lirisë.

Ish të burgosur politikë të regjimit komunist dhe banorë të Shkodrës përkujtuan sot Ditën e të vrarëve në kufi, ditë kjo që ka marrë shkas nga vrasja në kufi, me 16 qershor të vitit 1990, e 17 vjeçarit Pëllumb Pëllumbi.

Kjo ngjarje u shoqërua me demonstratën e të rinjve shkodranë nëpër rrugët kryesore të qytetit, shoqëruar me thirrjet kundër komunizmit dhe drejtuesve politikë të kohës.

Megjithëse Kuvendi i Shqipërisë kishte ndryshuar ligjin, duke mos e konsideruar kalimin e kufirit si tradhëti të lartë ndaj atdheut, gjatë vitit 1990 në Shqiperi u regjistruan 54 vrasje në kufi, pjesa më e madhe në Shkodër dhe Kolonjë,

Lula, motra e Pëllumb Pëllumbit, tregon si e përjetoi rinia shkodrane vrasjen në kufi të vëllait të saj 17 vjeçar.

“Edhe pse në gjendje shoku për humbjen e vëllait, kujtoj se ka qenë një demonstratë prej të rinjve, që faktikisht nuk e kisha imagjinu, që filloi prej turizmit deri tek vorret e qytetit duke u mbajt vëllai i im në shpatullat e të rinjve të Shkodrës dhe me britmat Poshtë Komunizmi”, thotë ajo.

ShkodraWeb Channel

Në verën e vitit 1990, Gjek Beqi së bashku me vëllain e tij tentuan të thyejnë kufirin për t’u arratusur në drejtim të ish Jugosllavisë, por u diktuan dhe qëlluan nga rojet e kufirit.

“Paradoksi ishte se, megjithëse ndryshoi ligji, ne na vranë. Nuk mund ta kuptoj këtë lloj pabesie, por kështu ndodhi. 19 maj 1990, kam qenë bashkë me vëllain tim, Vat Beqi 25 vjeç, “Matir i Demokracisë”. Për fat të keq ka ndërry jetë në vend pasi ka marrë disa plumba. Edhe unë kam marrë plumbin në kokë dhe më kanë ditë të vdekur”, thotë ai.

Gjatë ceremonisë së përkujtimit të të vrarëve në kufi, përfaqësues të shoqatës së ish të burgosurve politikë apeluan për gjetjen e vendvarrimit të të vrarëve në kufi dhe kundërshtarëve politikë të regjimit komunist.

“Është një apel që i bëhet politikës nga ana e shoqatës që të ndihmojnë në gjetjen e eshtrave, se janë 30 vjet demokraci dhe, sot e kësaj dite, janë 4500 që nuk kanë varr. Pra, nuk kanë një vend ku familjarët t’i çojnë një tufë me lule”.

Përgjatë gjysëm shekullit të diktaturës, në kufijtë e Shqipërisë janë vrarë 995 shqiptarë, në përpjekje për të çarë rrethimin komunist të kohës, ndërkohë që më shumë se 13.700 të tjerë arritën të largohen duke thyer kufirin shtetëror dhe duke sfiduar diktaturën. /VOA/

ShkodraWeb Channel

Open

Close