
Tregtarët e tregut të Zdrales në Shkodër kanë protestuar sot para godinës së Bashkisë, të shqetësuar pas marrjes së një njoftimi zyrtar për lirimin e hapësirave ku ushtrojnë aktivitetin prej më shumë se tre dekadash. Njoftimi është lëshuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, i cili kërkon që brenda dy muajsh tregu të lirohet, pasi në atë hapësirë parashikohet ndërtimi i një kompleksi të ri, bazuar në lejen e miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT).
Megjithëse njoftimi nuk ka ardhur nga vetë Bashkia, tregtarët i janë drejtuar asaj për të kërkuar një zgjidhje institucionale, pasi ndihen të pambrojtur dhe të papërfaqësuar përballë këtij vendimi që i nxjerr në rrugë. Ata kërkojnë ndërhyrjen e pushtetit vendor për të mos u lënë pa një vend pune dhe për të mos humbur burimin e vetëm të të ardhurave familjare.
Një përfaqësi e tyre është pritur në takim nga nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Rudin Beka. Pas takimit, ata thanë se ndonëse njoftimi ka ardhur nga Komuniteti Mysliman, ata e shohin këtë zhvillim si një bashkëveprim të heshtur mes Myftinisë Shkodër që është pronare e truallit dhe institucioneve vendore, për të mos lënë asnjë hapësirë komunikimi apo negociimi për rreth 300 tregtarë që sigurojnë jetesën aty.
Tregtarët paralajmërojnë se kompleksi tregtar që planifikohet në vendin ku ndodhet tregu aktual është i papërballueshëm për ta dhe për këtë arsye kërkojnë që të mos përjashtohen nga hapësirat tregtare që kanë ndërtuar me mund ndër vite.
LEXONI EDHE: VIDEO – “Mbështetje në negociata me KMSH”, një përfaqësi e tregtarëve të Zdrales priten në Bashkinë Shkodër
Pas takimit në Bashki, ata kanë vijuar protestën e tyre duke u drejtuar në Myftininë Shkodër, ku janë pritur në një takim me dyer të mbyllura. Në dalje, u shprehën se nuk kanë gjetur asnjë mirëkuptim, përveç një mundësie të shtyrjes së afatit të largimit me një muaj , gjë që për ta mbetet e pamjaftueshme.
Tregtarët kanë deklaruar se do të vijojnë protestat dhe kërkesën për një zgjidhje konkrete, që nuk i lë në rrugë dhe pa të ardhura, pas më shumë se 30 vitesh punë të ndershme.




