VIDEO/ PD publikon përgjimet e reja: Fredi Alizoti sajesë- aktori i Ramës, ka takuar “shefin e madh” dhe…

Loading...

Prej 5 muajve, Fatmir Xhafaj ka braktisur detyrën dhe është angazhuar drejtpërdrejtë në një skenar mafioz të mbrojtjes së trafikantit të drogës Agron Xhafaj. Është pikërisht skenari mafioz që njoftoi Edi Rama vetëm 2 ditë pasi u faktua që i vëllai i Ministrit të Brendshëm vazhdonte aktivitetin kriminal të trafikut të drogës, ku edhe mashtroi publikisht se kishte ekspertizën shkencore që provonte se ishte sajesë.

Partia Demokratike ka publikuar faktet e plota që provojnë se hetimi ndaj Agron Xhafajt nuk është bërë nga Prokuroria, por nga vartësit e Fatmir Xhafës në Policinë e Shtetit. Prokurorët vetëm kanë noterizuar çfarë i është dërguar nga vartësit e Fatmir Xhafës.

Sot do të bëjmë publike dokumente të reja që provojnë se aktori i Edi Ramës, është gjetur, blerë e shantazhuar nga vetë Fatmir Xhafaj, për të mbrojtur vëllain e tij trafikant.

Në ekran shikoni dokumente zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, që provojnë se Fredi Alizoti, aktori i Edi Ramës, është sajesë e vetë Fatmir Xhafës.

Sipas përgjimeve telefonike, rezulton se:

Në datën 1 Qershor 2018, ditën kur Edi Rama pretendon se aktori i tij Fredi Alizoti është vetëofruar në prokurori në orën 8 të darkës, ai është kapur duke pohuar se ka bërë një muhabet dhe po pret të takojë Taulantin nga Librazhdi, që i ka thënë “hap gojën sa do”.

Menjëherë më pas, ai telefonohet nga Drejtori i Policisë së Qarkut Fier, me numër telefoni 0694110316, dhe lë takim tek QTU në Fier. Në orën 17.13 minuta, Fredi Alizoti i drejtohet Drejtorit të Policisë së Qarkut Fier, me fjalët: “Do ta zgjidhësh ti këtë punë, apo ta zgjidhi Shefi lart”? Vetëm 7 minuta më vonë, aktori i Edi Ramës, nga zona e QTU Fier, vendi ku është lënë takimi me vartësin e Fatmir Xhafës, telefonon dikë dhe i drejtohet me fjalët “Mora një pako të mirë”.

Më 7 Qershor 2018, aktori i vetëshpallur nga Edi Rama, telefonohet përsëri, personalisht nga Drejtori i Policisë Qarku Fier, i cili e pyet se çfarë po bën dhe ku ndodhet, dhe Alizoti i përgjigjet “lart ku më latë”. Alizoti i kërkon Drejtorit të Policisë Fier që të takojë “Shefin e madh” me patjetër atë ditë, duke e garantuar se “nuk ka më kthim mbrapa, ato që janë bërë nuk kthehen më mbrapa”.

Partia Demokratike, pyet sot Edi Ramën, Fatmir Xhafën dhe veglat e tyre kriminale në Prokurorinë e Krimeve të Rënda:

• Çfarë “pako” ka marrë Fredi Alizoti? Kush ia ka dhënë atë?

• Kush është Taulanti nga Librazhdi që i ka thënë Fredi Alizotit “hap gojën sa do”?

• Çfarë shërbimi ka ofruar Fredi Alizoti dhe sa është paguar për këtë?

• Pse e ka telefonuar përsëri në datën 7 Qershor 2018 Drejtori i Policisë së Qarkut Fier shtetasin Fredi Alizoti?

• Cili është “shefi i madh” i Drejtorit të Policisë së Qarkut Fier që kërkon të takojë Fredi Alizoti?

Partia Demokratike dhe çdo shqiptar i ka të qarta përgjigjet. Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj nuk mund të fshihen më përballë fakteve që kanë fabrikuar dëshmitar për të mbrojtur një trafikant droge.

Sot Fatmir Xhafaj është i vetmi Ministër i Brendshëm, qё jo vetëm ka vëllain në burg për trafik droge, por i vetmi që përdor drejtuesit me të lartë të Policisë së Shtetit, për të fabrikuar prova e sajuar dëshmitar, me qëllim që të shpëtojë vëllain trafikant droge nga burgu.

Përdorimi i pushtetit nga Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj, për t’i ofruar mbrojtje shtetërore vëllait trafikant droge të Ministrit të Brendshëm, është një krim shumë i rëndë. Ai do të ishte ndëshkuar rëndë nëse celula kriminale në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, do të kryente detyrën dhe do hetonte krimin e organizuar me mbështetje shtetërore.

Por celula kriminale në Prokurorinë e Krimeve të Rënda e ka bërë zgjedhjen e vet antiligjore, duke bashkëpunuar në një akt mafioz për të shantazhuar gazetarët, qytetarët dhe opozitën, në përpjekjen e dëshpëruar për t’i mbyllur gojën denoncuesit.

Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj mund të ndjehen sot të sigurtë përkohësisht sepse kontrollojnë gjykatat e prokurorinë. Ata mund të manipulojnë prova e të fabrikojnë dëshmitar, sepse askush nuk i heton dhe dënon.

Por fundi i tyre është i afërt. Dita ku drejtësia për to do të behet, nuk është e largët. /Deklaratë e PD-së lexuar nga deputeti Enkelejd ALIBEAJ/

Loading...