
PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore hapën zyrtarisht fushatën zgjedhore për 11 majin. Sali Berisha në miting ishte i shoqëruar nga këshilltari elektoral, amerikani Chris LaCivita, i cili u shfaq në Tiranë për herë të parë që pas prezantimit të tij më 10 shkurt. Profesionistë të fushave të ndryshme ishin të parët që mbajtën fjalim në çeljen e fushatës elektorale, por ajo që tërhoqi vëmendjen ishte se aleati i tij kryesor, Ilir Meta nuk dërgoi asnjë audiomesazh nga qelia, ndryshe nga çka bërë gjatë fushatave për prezantimin e kandidatëve të PL.
LaCivita që punon tashmë për Berishën, u pa gjatë gjithë kohës pranë tij. Ai ishte madje dhe një prej folësve nga podiumi i takimit, por fjala e tij zgjati vetëm rreth 2 minuta.
“Kush është gati të bëjë Shqipërinë të madhe sërish? Në 2024, në SHBA socialistët u përpoqën të burgosin Donald Trump. Dështuan. Në 2025, këtu në Shqipëri, socialistët duan të burgosin të gjithë opozitën dhe do të dështojnë. Pse? Sepse nuk kanë çfarë të thonë për dështimet e 12 viteve të fundit, 12 vite krim, drogë, dhe në 12 vite, mbi 1 milion shqiptarë janë larguar nga Shqipëria. Janë 12 vjet dështim ekonomik. Përse të votosh për një parti që ka krijuar të tëra problemet. Votoni për doktor Berishën. Jepni vendit tuaj një mundësi dhe shpresë. Faleminderit dhe iu bekoftë perëndia”, u shpreh ai.
Fjala e Sali Berishës shënoi momentin kryesor të mitingut hapës. Ai përmendi të gjithë sukseset e qeverisjeve të tij, nga shembja e diktaturës, tek futja në NATO dhe heqja e vizave, si dhe replikoi me Edi Ramën për moshën e tij 80 vjeçare.
“Ju garantoj se ai, nuk e keni njohur ju, por unë e mbaj mend, ngjet jo me Gramozin, por me gjyshin e Gramoz Ruçit. Ndaj dhe nuk e di ti, se vjedh gjithë ditën, por forca e burrit matet, fuqia e një burri matet me dashurinë dhe pasionin që ka ai për të ndihmuar shoqërinë, kombin, vendin e tij.”, u shpreh Berisha.
Sali Berisha nga ana tjetër akuzoi kundërshtarin e tij, Edi Rama, se bëri gjithçka që të përçante opozitën.
“Shqipëria pret me padurim ndryshimin e madh, Shqipërinë madhështore. Shqipëria është e sëmurë, kjo sëmundje quhet Edi Rama. I tmerruar nga e vërteta, nga transparenca, ka 2 muaj që është ngujuar në zyrë, ka 2muaj që flet me vete, ka 2 muaj që ka frikë. U përpoq me gjithçka, me arrestime, me presion, me përcarje, që Shqipëria mos të ketë opozitë. Ja ku jemi sot, më të fuqishëm se kurrë. Edi Rama vazhdon avazin e vjetër, mashtrime, shpifje trillime. Për 12 vite s’tregon një vepër, sepse ka vjedhur”, tha Berisha.
Duke iu drejtuar, Berisha nuk la pa përmendur dhe hetimet ndaj tij.
“Vetingu që i bëri me lakejtë e tu, tregoi se Sali Berisha del sot para shqiptarëve si politikani më i pastër që ka njohur Shqipëria dhe më gjerë. Edvin, me atë veting, të cilin e nise si e nise, mund të them se nder më bëre, u tregove shqiptarëve se ku qëndron forca e pathyeshme e Sali Berishës”, tha Berisha.
Të vetëve ju kërkon të shohin rreth e rrotull, atë që e quan rikthim të demokratëve: “Menduan se na zhdukën nga faqja e dheut, dhe ja ku jemi sot, më të fortë se kurrë”.
Në fund të fjalimit të tij, Sali Berisha i dha një mesazh Ramës.
“Mos prek votën se në mënyrë absolute s’do të kesh vend mbi tokë. Jo! Jo! Largohu me votë se i ke bërë të këqija të mëdha këtij vendi e kombi. Po ikën me turp si e keqja më e madhe pas Enver Hoxhës në historinë e shqiptarëve ndaj edhe i përshëndes socialistët që kanë vendosur të bashkohen me ne, i përshëndes të gjithë shqiptarët që së bashku Shqipërinë e dhimbjes ta shndërrojmë në Shqipërinë normale, e qetë, e gëzimit, Shqipërinë e varfërisë në të mirëqenies.”, tha Berisha.
Kolona zanore që shoqëroi Berishën ishte kënga e famshme e Rocky Balboa, “Survivor – Eye of the tiger” dhe mesa duket do të shoqërojë të gjithë fushatën e tyre.
Të pranishëm në çeljen e fushatës së koalicionit të Berishës ishin edhe fëmijët e kreut të PL-së, Ilir Meta, i cili ndodhet në qeli.