
IKMT ka përfunduar punën e tij. 10 ndërtesat e shpronësuara, të planifikuara të shemben, tashmë kanë rënë përtokë. Pamjet që ofrohen këtë fundjavë në hyrje të Shkodrës, përcjellin imazhin e një situate sipas një termeti.
Janë qindra, ndoshta mijëra tonelata që duhet të evadohen nga terreni. Panorama nis nga rrethrrotullimi tek Kisha e Zojës dhe vazhdon në krahun e majtë deri tek Bexhisteni.
Ndërkohë, në gërmadha shihen individë që kërkojnë të marrin çdo gjë që mund të merret për të fituar diçka prej tyre. Pikë së pari, materialet metalike, të cilat janë me shumicë dhe gjenerojnë jo pak të ardhura.
Ndërhyrja ishte në kuadër të projetit të hyrjes së qytetit të Shkodrës. Sigurisht, pas heqjes së mbeturinave të shembjeve, hyrja e qytetit të ofron një panoramë që mbase shkodranë e vizitorë e kishin harruar. Kundrohet Buna, liqeni i Shkodrës dhe shikimi është i lirë edhe përtej urës së vjetër të Bunës.