
Tregtarët e Rusit kanë kërkuar sot praninë e mediave, teksa për disa orë, kanë bojkotuar shitjen e produkteve të tyre, kryesisht fruta- perime. Sipas tyre, shkak është bërë tarifa e re e vendosur nga bashkia për tregtimin në tregun e transformuar plotësisht pas ndërhyrjes.
Sipas tregtarëve që folën për mediat, tarifa nga 1500 lekë në muaj, është rritur në 7500 dhe sipas tyre, është e papërballueshme për shumicën e shitësve aty. Ata kërkojnë që bashkia t’ ua ulë këtë tarifë.
Tregtarët janë të ndarë mes tyre për cilësinë e investimit, siç edhe për caktimin e vendeve të tregtimit. Disa thonë se vendet janë ndarë “me mik”, ndërsa të tjerë thonë se të gjithë janë rikthyer në vendet që kanë patur.
Një përfgaqësi e tyre është takuar në bashki me nr. 2 të saj Rudin Beka dhe sipas tregtarëve, ai u ka thënë se të hënën ose të martën, do të diskutohet kjo çeshtje me kryebashkiakun Beci, për të gjetur zgjidhjen më të mirë.
Gjithsesi, ata thonë se nëse nuk plotësohet kërkesa e tyre, ata do të dalin të tregtojnë në rrugë, duke sfiduar haptas edhe vetë bashkinë e Shkodrës, e cila u dha në përdorim atyre dhe klientëve një treg me kushte shumë më të mira se e kishin. Kjo, sipas vetë deklaratave të tyre ditën kur u rikthyen në treg, dhjetorin e vitit të kaluar.