
Edison Arrazi, 26-vjeçari i cili dyshohet se ka dijeni për ekzekutimin e Endri Mustafës, u la në burg.
Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër caktoi masën e “arrestit me burg” për të riun, i cili u arrestua nga policia bashkë me një tjetër person, shtetasin Ergys Malja, 15 vjeç i cili dyshohet se në bashkëpunim me Ibrahim Licin kanë vrarë me armë zjarri Endri Mustafën.
Por, në procesverbalin e arrestimit të policisë, Arrazi rezulton i arrestuar vetëm për shkak të sasisë së drogës që është gjetur në banesën e tij dhe jo lidhur me vrasjen e 32-vjeçarit Mustafa.
Ndërkohë, vëllai i Edison Arrazit, 26-vjeçari i cili dyshohet se ka dijeni për vrasjen e Endri Mustafës në Shkodër, ka mohuar që i riu të ketë lidhje me krimin.
Gjithashtu ai mohon dhe akuzën e ngritur për lëndën narkotike që policia tha se e gjeti dhe sekuestroi në banesën e tyre.
“Vëllai im nuk ka lidhje me vrasjen dhe as me drogen. Droga e gjetur eshte ne nje magazine larg shtepise tone. Vellai im nuk ka lidhje fare me vrasjen dhe kete e verteton policia e shtetit qe e dyshon vetem per droge. Vellai ne momentin e vrasjes ka qene ne shtepi duke fjetur gjume”, u shpreh për mediat ai, ndërsa gjykata e Shkodrës e la në burg Arrazin, mbi të cilin prokuroria ka ngritur akuzën vetëm për drogë dhe jo për lidhje me vrasjen e Endri Mustafës.




