Dy ura të rëndësishme të Shkodrës, ajo e Bahçellekut dhe ura e vjetër e Bunës tashmë janë dëmtuar në shumë pjesë të tyre. Në urën e Bahçellekut ka vështirësi për lëvizjen e automjeteve ndërsa ura e vjetër e Bunës është e rrezikshme për kalimtarët si shkak i dëmtimeve.
Alfred Luleta, drejtor i Shërbimeve Publike në bashkinë Shkodër bën të ditur se qoftë ura e Bahçallekut por edhe e Bunës që është edhe monument kulture nuk janë përgjegjësi e bashkisë Shkodër. Luleta shprehet se urën e Bahçellekut e administron Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe është ai institucioni përgjegjës për çdo ndërhyrje aty.
Drejtori Luleta sa i përket Urës së vjetër të Bunës, ajo administrohet nga Ministria e Mbrojtjes dhe sërish bashkia Shkodër nuk mund të ndërhyjë.Edhe unaza lindore e Shkodrës, një vepër e cila ka afro 10 vite që ka përfunduar nuk i është dorëzuar ende bashkisë Shkodër shprehet drejtori Luleta nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar duke bërë që ai segment të vijojë të qëndrojë në errësirë.
Këto vepra të rëndësishme në Shkodër, Ura e Bahçallekut, Ura e Bunës dhe unaza lindore që nuk administrohen nga pushteti vendor po vijojnë të dëmtohen gradualisht si shkak i mos ndërhyrjes për t’i riparuar dhe ngërçit të dorëzimit nga ARRSH në rastin e unazës lindore.