
Mbrëmja e 23 dhjetorit e një viti më parë, solli një lajm të trishtë për gazetarët, punonjësit e medias, artistët e Shkodrës dhe më përtej. Lekë Plani, gazetari i mirënjohur, artisti e qytetari i denjë i Shkodrës, humbi betejën me Covid- 19.
Një vit më pas, e kujtojmë me dhimbje por edhe me krenari që ishim bashkëudhëtarë të një brezi, ku Leka sigurisht, ishte mësuesi dhe udhërrëfyesi i shumë e shumë gazetarëve që e nisën punën para mikrofonit të Radio Shkodrës.
Lekë Plani punoi për një kohë shumë të gjatë në media, duke nisur nga Radio Shkodra, RTSH, Deutsche Welle por edhe në mediat lokale të Shkodrës. Lekë Plani ka mbajtur edhe pozicionin e drejtorit dhe kryeredaktorit të Radio Shkodrës, ndërsa ishte ideatori i shumë emisioneve në këtë institucion, ku veçohen ato me humor në fillim të viteve 90 që gozhdonin mijëra dëgjues para radios.
Leka e sfidoi Covid- 19 deri në frymën e fundit të tij. U jepte zemër të sëmurëve të tjerë në pavijon duke kënduar edhe nën maskën e oksigjenit. Këndonte këngën e tij të preferuar me të cilën shpesh kënaqte miqtë e tij në Shkodër e më gjërë.
Në këtë përvjetor të parë të ikjes, e kujtojnë të gjithë pa përjashtim, ata që e njohën nga afër e punuan me të por edhe të tjerë që e njohën përmes punës së tij. Bashkëshortja Natalina, e kujton me një video montazh dhe fjalët e vetme që i dali nga shpirti për Lekën e saj, janë: “Një vit pa ty, sa e dhimbshme…I PËRJETSHEM !”. Një njeri që diti ta jetojë e shijojë jetën në çdo qelizë të saj, diti ti jepte gaz, hare dhe guxim atyre që e rrethonin deri në sekondat e fundit mbi këtë tokë. I paharruar Lekë Plani!




