“Së bashku me familjen Repishti do të bëjmë të mundur shndërrimin e banesës së tij në një vend të vizitueshëm. Ky hap do të mundësojë ruajtjen e kujtimit të dhe një mundësi për brezat e ardhshëm që të mësojnë nga shembulli i tij si kontribues i shquar i çështjes shqiptare.”. Kështu ka shkruajtur në rrjetet e tij sociale kryebashkiaku Benet Beci, pasi mori pjesë në ceremoninë e organizuar në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në nderim të profesor Sami Repishtit, i ndarë nga jeta pak ditë më parë në SHBA.
Në fakt, Sami Repishti nuk është një figurë e zakonshme, ai i kalon dukshëm kufijtë e Shkodrës e Shqipërisë me aktivitetin e tij atdhetar. I arratisur nga vendlindja në vitin 1959 pasi provoi burgun e diktaturës, sidomos nga viti 1962 kur u vendos në SHBA, ai ishte personalitet referues për të gjithë shqiptarët. është personifikim jo vetëm i patriotit por edhe i njeriut me vlera që sfidon çdo pengesë për të arritur standarde sa më të larta profesionale, morale dhe shpirtërore.
Pas 1990- ës, profesor Sami Repishti ka vizituar Shkodrën por sigurisht jetën dhe aktivitetin e tij, e kishte ndërtuar në SHBA, bashkë me familjen. Tashmë kur ai nuk është më mes nesh fizikisht, jeta e tij, aktiviteti i tij, reliktet e tij, mund të jenë shumë mirë në shtëpinë vet në Shkodër, aytetin që e deshi fort dhe që e nderoi me titullin “Qytetar Nderi”. Realizimi i idesë për një shtëpi- muze të hapur për tu vizituar, do të ishte ndoshta edhe përmbushje e mungesës së tij mjaft të gjatë nga vendlindja, që nga viti 1959.
Tashmë mbetet që bashkia dhe familja Repishti ti bëjnë këtë dhuratë Shkodrës, shkodranëve e shqiptarëve, sidomos brezave të ardhshëm për të njohur këtë figurë të shquar që i bën nder të gjithëve.