
Kjo e hënë ka shënuar nisjen e punimeve për investimin e Bashkisë Shkodër në rrugën paralele përgjatë pedonales në plazhin e Velipojës. Në nisjen e punimeve ishte i pranishëm vetë Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, i cili në intervistën e dhënë për mediat u shpreh se ky është një investim i rëndësishëm, i kërkuar prej kohësh nga vetë bizneset, për të krijuar një hapësirë të rikonstruktuar që do t’u shërbejë si bizneseve, ashtu edhe pushuesve në plazhin e Velipojës.
Nga ana tjetër, kryebashkiaku zbuloi edhe detaje të projektit të rrugës, i cili përfshin një aks me dy korsi, korsi biçikletash dhe një hapësirë të gjelbër ngjitur me pedonalen.
Paralelisht me këtë investim, i cili parashikohet të përfundojë fazën e parë në fund të muajit qershor, Bashkia Shkodër po vijon edhe sistemimin e brezit ranor, hapësirave publike dhe elementeve të tjerë infrastrukturorë, në mënyrë që në fillim të muajit qershor plazhi i Velipojës të jetë gati për të pritur pushuesit. Velipoja mbetet pika kryesore e turizmit gjatë sezonit veror në Bashkinë Shkodër.




