VIDEO – Nga vajza e Topallit, ish- kryetarët e bashkisë dhe partisë, ish- deputetë, drejtues të PD- së në krah të Berishës në Shkodër

Jozefina Topalli nuk kishte konfirmuar praninë fizike në takimin e Berishës në Shkodër ditën e sotme por në vend të saj, në sallë ka qenë vajza Megi e shoqëruar nga dhëndri. Madje, ata janë përshendetur ngrohtësisht edhe me deputetin Flamur Noka dhe ish- deputetin Gent Strazimiri. “Foltorja” e sotme e Berishës ka bërë bashkë mjaft personazhe të njohura politike ose jo. Përveç vajzës së Topallit, ishin në sallë edhe kandidatë të Partisë Lëvizja për Ndryshim me 25 prill 2021.

Ish- gjytqari i lartë Artan Broci, vëllai i dëshmorit të demokracisë Arben Broci, pjesëtarë të tjerë të familjeve të 4 dëshmorëve të demokracisë së “2 Prill 1992”, ishin në sallë dhe kanë pozuar edhe me Berishën. Bisnesmeni i njohur Esat Ademi, ishte po ashtu prezent.


Në mbështetje të Berishës ishin edhe ish- kryebashkiakët e Shkodrës Lorenc Luka e Artan Haxhi, teksa ishte i pranishëm edhe nënkryetari aktual Tonin dedaj dhe disa administratorë të njësive administrative të Bashkisë Shkodër. Edhe Astrit Bushati kishte ardhur nga Tirana, ku jeton prej vitesh. Më herët, ai ka qenë kryetar i PD- së dhe deputet.

Kanë ndjekur takimin e Berishës një pjesë e konsiderueshme e kryetarëve të grupseksioneve të PD- së, automatikisht edhe antarë të kryesisë së degës shkodrane. Irena Shestani dhe Ndoc Ashta, nënkryetarë aktualë të PD- së dhe Aleksandër Marceli sekretar në detyrë, po ashtu ishin pjesëmarrë në takim.

Në mbledhjen e sotme, nuk ishin të pranishëm asnjë nga deputetët e PD- së të zgjedhur me 25 prill 2021 në Qarkun e Shkodrës.