Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi, ka refuzuar të flasë sot kur është pyetur nga gazetarët nëse ka një koment për ngjarjen tronditëse që ka tronditur opinionin publik prej dy ditësh, ku një 8-vjeçar u vra mizorisht nga fqinji i tij.
Pas kritikave të qytetarëve në rrjetet sociale dhe reagimeve politike ka reaguar ministrja Muzhaqi, e cila kërkoi ndjesë nëse ka lënë shteg për keqkuptime, duke shtuar se është thellësisht e prekur si të gjithë nga tragjedia e Fierit.
Kujtojmë që ministrja u shfaq e qeshur para gazetarëve dhe ndërsa u pyet për vrasjen e Mateos u shpreh se nuk ka kohë të flasë, duke shtuar se është vonë.
REAGIMI I MUZHAQIT
Ndjesë nëse kam lënë shteg për keqkuptimin e kujtdoqoftë që ka pritur një përgjigje tjetër nga unë, përballë disa mediave të cilat m’u gjendën përballë duke shkuar për një tjetër takim pune.
Jam thellësisht e prekur si të gjithë nga tragjedia e Fierit dhe besoj se gjithçka mund të bëhet më tutje për adresimin e çështjeve të pyetjes, do të bëhet, ashtu si duhet, nga institucionet. Detyra ime funksionale është angazhimi me programet jashtëshkollore të nxënësve e studentëve, si dhe programet e aktiviteteve për fëmijët në komunitet. Prandaj dhe nuk m’u duk e udhës të jap një opinion personal mbi fusha të tjera specifike për të cilat m’u drejtua pyetja.
Ndërsa për sa i takon sarkazmës politike apo mediatike me tragjedinë, nuk kam asnjë koment. E kam neveritur gjithnjë lojën publike me dhimbjen e shkaktuar prej tragjedive. Por sot e provova shijen e saj drejtëpërdrejtë. Vdekja e dhunshme e një fëmije nuk mund të jetë kurrë arsye për të luajtur me njeri-tjetrin. Ndjesë edhe njëherë atyre që kanë keqkuptuar përgjigjen time.