
Trajneri Edi Martini foli pas fitores 1 me 0 që Vllaznia mori ndaj kampionëve të Egnatias. Për të njëjtën ndeshje, Edlir Tetova te rrogozhinasit kontestoi gjykimin.
“Në rezultat po, kemi rritje sepse lojtarët e dëmtuar po kthehen pavarësisht se nuk kanë kondicionin e duhur fizik. Po të shikoni Bismarkun dhe Muratajn kanë rritje, edhe Jago. Kemi rritje, por edhe punë shumë për të bërë, që të arrijmë te fillimi i kampionatit ku ishim.
Kishim llogaritur që të shtynim Jagon më përpara. Funksionoi, na ndihmoi Bismarku. Nuk jemi akoma në ditët e para. Dhe ndeshjet e para të fazës së dytë kanë pasur ngarkesë. Më gëzon se djemtë po marrin veten, po vijnë te forma e dytë. Në pjesën e dytë luajtëm taktikisht perfekt. Ndeshje të tilla duhet edhe të vuajmë sepse 3 pikë shumë të rëndësishme”, u shpreh Martini
Ndërsa Edlir Tetova kontestoi gjykimin pas humbjes 1 me 0 që Egnatia pësoi në transfertën e Vllaznisë.
“Mungesat janë një pjesë, ishin 5 lojtarë sot dhe ndikon. Për atë që dhanë çunat, si e kishin përgatitur ndeshjen, punuam mirë. Bëmë gabime. Kundërshtari merr masat e veta. Sa i përket lojës, mendoj se është penallti në pjesën e parë. Te rasti i Ruçit, nuk ka informacion për topin dhe çuditërisht nuk ka penallti. Dhe rasti i golit, nuk shihet në VAR. Nuk po them shumë larg trajektores, por është larg. Çuditërisht anulohet. Nuk e di pse janë këto situata ndaj nesh. Fundi është Vllaznia, Egnatia, duam të luajmë futboll. Si meriton Vllaznia, duam edhe ne situatat tona.
Nga ndikimi i mungesave, janë lojtarë jashtë pozicionit. Dhe goli që morëm, mund të ishte i vetmi rast për Vllazninë në pjesën e parë. Ndërhyrje gabim që vjen nga qendra djathtas dhe morëm gol të lehtë. Skuadra reagoi, por pa qenë efikas para portës. Dy raste që ishin, më afër barazimit, duhet me i dhënë elozhe portierit kundërshtar”, u shpreh Tetova.




