
Rreth një vit më parë, tre fëmijë të mitur të moshave 8, 5 dhe 1 vjeç, humbën babain e tyre pas një ataku kardiak që pësoi i ndjeri. Familja ishte në kushte të vështira ekonomike dhe banorë të zonës Berdicë, Këshilli i Xhamisë, mblodhën fonde për ndërtimin e një shtëpie të re për 3 jetimët dhe nënën e tyre.
Ndërsa shtëpia po ndërtohej, me shpresën e krijimit të kushteve më të mira të jetës për këtë familje që kishte humbur kryefamiljarin, inspektoriati vendor i territorit nisi procedimin për ndërtim pa leje si dhe vendosi gjobë. Ndërsa punimet tashmë janë ndalur, banorët e zonës në fshatin Trush, kërkojnë që Bashkia Shkodër, të tërhiqet nga ky vendim për familjen Alijahaj, që sipas tyre është i padrejtë.
Ndërkohë, ka ardhur edhe reagimi i Bashkisë Shkodër, përmes një sqarimi, të publikuar në rrjetet e saj sociale, ku lexohet:
“Në lidhje me lajmin e publikuar sot nga mediat mbi rastin e familjes Alijahaj në fshatin Trush, Njësia Administrative Bërdicë, që po ndërtohet një objekt banimi me 130 m2 sqarojmë opinionin publik se:
Institucionet ligjzbatuese janë të angazhuara në zbatimin e ligjit në të gjithë territorin e Bashkisë Shkodër, duke monitoruar situatën e ndërtimeve që kryhen në mënyrë të parregullt.
Rasti i kësaj familjeje ka një specifikë të veçantë ka një karakter më tepër social sesa ligjor, megjithatë, zbatimi i ligjit është i njëjtë dhe i barabartë për të gjithë qytetarët.
Duke qenë gjithmonë pranë banorëve, dhe me qëllimin për të mbështetur këtë familje në mënyrën më të përshtatshme, Bashkia Shkodër, në bashkëpunim me institucionet e tjera ligjzbatuese, po punon për të krijuar çdo lehtësi të mundshme proceduriale për familjen Alijahaj.”, përfundon sqarimi i Bashkisë Shkodër.