
Në një publikim në faqen e njohur JOQ Albania në rrjetet sociale, Gjergj Luca, përmes një video të dërguar nga një qytetar, akuzohet se ka përfituar në jug, ku i është dhënë një ndërtim pa asnjë kriter. Publikimi nis me një kujtesë për atë që ndodhi në Theth rreth 2 javë më parë.
Biznesmeni Gjergj Luca, ka reaguar me një videomesazh, të shoqëruar edhe me një tekst të shkurtër, teksa thotë se video nuk ka lidhje me të por me një koleg që ka arritur gjithçka përmes punës.
“Një përgjigje për median serioze dhe prestigjoze “Qefi osh jetë” dhe për ata që prej ditësh më thonë “pse nuk reagon për Thethin”, a thua se fati i kombit varet nga fjalët e Gjergj Lucës!”, shkruan biznesmeni i njohur.
PUBLIKIMI NË FAQEN E JOQ ALBANIA
Vetëm disa ditë pas shembjes së banesave prej druri të ndërtuara pa leje në Theth, qytetarë të ndryshëm kanë ngritur zërin për zaptimin e vazhdueshëm të bregdetit në jug të vendit, ku sipas tyre nuk po merren masa nga autoritetet përkatëse.
Një video e mbërritur në redaksinë tonë tregon një zonë në bregdetin e Sarandës, ku duket se një pjesë e malit është prerë dhe terreni është betonuar, ndërsa ka nisur ndërtimi i një strukture metalike. Qytetari që ka dërguar pamjet pretendon se bëhet fjalë për një ndërtim pa leje nga ana e Gjergj Lucës.
“As projekt, as një gjë, as një leje! O Rame, ku o Thethi mo Rame? Shiko ça bën Gjergj Luca këtu. Ku është këtu projekti, çfarë do bëhet këtu?” thotë i riu në video.
Ende nuk është e qartë se çfarë destinacioni do të ketë ndërtesa, nëse do të jetë një restorant apo një strukturë akomoduese, por rasti ka ngjallur reagime në rrjet për shkak të perceptimit të një trajtimi me dy standarde nga ana e institucioneve shtetërore.
Ndërkohë, një ditë më parë, JOQ raporti edhe një tjetër rast në Porto Palermo, ku Vojo Peçi, vëllai i ish-kryebashkiakut të Tepelenës, Tërmet Peçi, ka ndërtuar një lokal dhe një plazh privat në një pjesë të ish-bazës ushtarake.
Këto raste theksojnë nevojën për veprim të menjëhershëm nga institucionet ligjzbatuese për të siguruar zbatimin e njëtrajtshëm të ligjit dhe për të frenuar ndërtimet e paligjshme në zonat me rëndësi natyrore dhe turistike.




